TATÌ SPACE photography center

View Original

Grate ne Fotografi

Në kuadrin e Ekspozitës Fotografike të lançur në Tatì Space me temën “Qyteti i Grave”, po sjellim në vëmendje disa figura inspiruese të grave fotografe, të cilat kanë dhënë një kontribut të çmuar në fushën e fotografisë, me profesionalizimin dhe qasjen humane ndaj qytetit dhe kohës në të cilën ato jetuan. Duke filluar me Julia Margaret Cameron, si një ndër pionieret e fotografisë botërore, Frances Benjamin Johnston si fotoreporterjen e parë grua, Berenice Abbott me pasqyrimin e modernitetit që po lindte, Dorothea Lange e Margaret Bourke-White si dokumentueset e para të ngjarjeve të mëdha historike, dhe për të vazhduar me qytetin modern me Vivian Maier, Diane Arbus, deri në ditët e sotme me Cindy Sherman dhe Annie Leibovitz. Lista është akoma më e gjatë, por ne kemi zgjedhur këto figura si përfaqësuese të epokave të ndryshme të fotografisë.


Julia Margaret Cameron (1815-1879)

Është një fotografe britanike e shekullit të 19-të, e cila e filloi fotografinë vonë, në moshën 48 vjeçare, atëherë kur vajza e saj i dhuron një aparat për ditëlindje. Ajo njihet për portretet e personazheve të njohur të kohës, miqve të saj, dhe për fotografimin e temave heroike, mitologjike dhe nga letërsia,  ku si personazhe vendos njerëzit e afërm që i vizitonin studion. Ajo njihet për fotografimin e fëmijëve dhe grave, si dhe për një çfokusimin dhe planet e afërta të portreteve, e cila pati impakt në fotografinë moderne.


Frances Benjamin Johnston (1864-1952)

Është një ndër fotoreporteret e para në Amerikë. Ajo ka qënë një avokate e rolit të grave në fotografi, me shkrimin “Çfarë mund të bëjë një grua me kamera” në 1897, dhe bashkë-kuratore e një ekspozite fotografike në Ekspozitën Universale 1900. Frances njihet për portretet, fotografinë e arkitekturës tradicionale, dhe për serinë në Institutin Hampton. Në 1899 asaj iu kerkua të fotografonte jetën e përditshme të studentëve në Institutin Hampton, i cili pas Luftës Civile ofronte kurse profesionale për të rinjtë Afro Amerikanë dhe Nativë Amerikanë. Duke qënë se përdori negativa prej pllaka platinuimi, të cilat kërkonin disa sekonda ekspozim, ishte e pamundur fotografimi spontan i të rinjve. Në këtë mënyrë ajo i drejtoi subjektet në skena të kompozuara me kujdes, të cilat flasin për stilin unikal të Benjamin, të dallueshëm deri në ditët e sotme.


Berenice Abbott (ShBA 1898-1991)

Berenice Abbott është një fotografe amerikane e njohur për dokumentimin e arkitekturës dhe jetës metropolitane të New Yorkut me të gjitha kontrastet e tij, në vitet 1930 të depresionit te madh. Berenice Abbott njihet për stilin dokumentues, jashtë cdo subjektivizmi dhe piktorializmi. Ajo fotografoi me kamera  8x10” vendet kryesore të New Yorkut me arkitekturën e re që po lindte, por edhe vendet që po zhdukeshin nga zhvillimi. Influenca e saj kryesore ishte fotografi francez Eugene Atget, i cili në mënyrë skrupuloze fotografonte Parisin e vjetër, që po zhdukej nga moderniteti i fillimit të shekullit 20. Abbott e quante Atget ‘Balzakun e kameras’ dhe një ‘historian urbanist’. Asaj i njihet merita e shpëtimit të arkivës së Atget, kur pas vdekjes së tij bleu të gjithë negativët dhe i çoi në Amerikë, ku punoi për publikimin veprës së tij.  Në vitet e fundit të karrierës Berenice Abbott u mor me anën teknike dhe shkencore të fotografisë.

Një ndër shprehjet e saj është “Bota nuk i don gratë e pavarura, nuk e di pse, por kjo nuk më shqetëson aspak”.


Dorothea Lange (1895-1965)

Është një fotografe amerikane e cila dokumentoi në mënyrë realiste jetën e vështirë të amerikanëve në periudhën e Depresionit të Madh të viteve ’30-të. Me fotografinë e saj humanitare ajo ndikoi në alokimin e fondeve federale për shtresat e varfëra, por edhe në zhvillimin e zhanrit të fotografisë dokumentuese. Një ndër fotografitë e saj ikonë është “Nëna Migrante” ku ajo fotografoi një familje të varfër në kushtet e ekzistencës. Lange kishte aftësi të fotografonte anën e bukur dhe dinjitoze të njerëzve. Një ndër shprehjet e saj është “Aparati Fotografik është një Mjet për të Mësuar sesi të Shikojmë…” Ajo e përdori kameran si një instrument demokratik. Ndonëse Lange kishte një vështirësi fizike në lëvizje, për shkak të një sëmundje të kaluar në fëmijëri, ajo njihet si një femër luftarake, në një kohë kur kjo cilësi nuk u pranohej grave. Ajo udhëtoi shumë, duke fotografuar shtresat e ulta të papërfaqësuara të popullsisë; fermerë, punëtorë, hebrenj, zezakë, të varfër, emigrantë të kombësive të ndryshme, duke ofruar në këtë mënyrë një vizion demokratik të Amerikës, në një kohë kur vendi kishte shumë nevojë për këtë.


Margaret Bourke-White (1904-1971)

Është fotografja e parë amerikane e reportazhit të luftës dhe një ndër fotoreporteret më të rëndësishme në Amerikën e viteve ‘30 dhe ‘40. Fotografitë e saj të para janë ato industriale të makinerive, ndërtesave, njerëzve, por më pas ajo u fokusua në çështjet sociale, në zonat me varfëri të skajshme gjatë viteve të Depresionit, ku fotografoi për revistën Fortune dhe më pas për Life. Bourke-White ishte  fotografja e parë e huaj e cila u lejua të fotografonte në Bashkimin Sovjektik gjatë viteve ‘30, që e bëri atë nje ndër fotografet më të famshme në Amerikë. Ajo u lejua nga Trupat Ushtarake për të fotografuar Luftën e Dytë Botërore, gjatë së cilës fotografoi ngjarjet më të rëndesishme si bombardimin e Moskës nga trupat gjermane në 1941, krimet e luftës, kampet e përqëndrimit pas kapitullimit nazist. Pas luftës së dyte botërore, dokumentoi ngjarjet historike më të rëndesishme, si përpjekjet e Ghandit për pavarësinë e Indisë, Luftën e Koresë, trazirat në Afrikën e Jugut, etj.


Vivian Maier (1926-2009)

Vivian Maier ka një ndër historitë më interesante në historin ë e fotografisë. Ajo ka fotografuar jetën urbane dhe njerëzit e rrugës në amerikën e viteve ’50, ‘60, me intensitet të fortë, kuriozitet dhe me një shpirt humori, por ajo asnjëherë nuk i publikoi fotot e saj. Ajo ishte një njeri mjaft i rezervuar, ndonëse e shkolluar dhe me kulturë, ajo fotografonte për hobi ndërsa kryente detyrën e saj si dado e fëmijëve. Ashtu siç shprehen më vonë femijët që ajo rriti, ata asnjëhere nuk e kuptuan se çfarë fotografonte Maier. Kur e pyesnin ajo përgjigjej duke qeshur se ishte një spiune. Ndërkohë që Maier i shëtiste fëmijët në çdo cep të qytetit, ajo shkrepi foto mjaft interesante, që përbëjnë sot një trashigimi vizuale të asaj kohe. Fotografia e saj u bë e njohur pas vdekjes së saj, falë një koleksionisti arti, John Maloof, i cili në vitin 2009 bleu 150,000 negativat që ajo shkrepi gjatë jetës së saj dhe ja bëri të njohur publikut nëpërmjet botimit të librave, ekspozitave dhe filmave dokumentarë.


Diane Arbus (1923-1971)

Është një fotografe amerikane e njohur për stilin e saj kontrovers, të kritikuar dhe të vlerësuar në të njëjtën kohë. Ajo fotografoi banorët e New Yorkut në vitet 50-60, njerëzit në park, femijët, gratë, njerëzit me aftësi ndryshe, ata që jetojnë në skajet e shoqerisë, performuesit e cirkut, transgjinorët, njerëzit ndryshe, ata që siç thotë një kritike arti ‘na tërheqin vëmendjen kur i shohim në rrugë, por instiktivisht e heqim vështrimin sepse na vjen turp nga ajo që shohim’. Ndërsa Arbus, përkundrazi, i vëzhgon, i studion dhe i fotografon në mënyrë psikologjike, ashtu siç asnjë fotograf tjetër kishte bërë më parë. Ndërsa fotografët e rrugës të brezit të saj si; Evans, Winogrand, Lewitt etj, ndoqën një stil guerilas, duke fotografuar njerëzit ndërsa ata nuk e kishin mendjen, dhe pa u dalluar prej tyre, përkundrazi Diane kërkon miratimin personave që fotografon. Shpesh herë ajo i kthehet 2 herë një subjekti, mban shënime, bisedon, lidh miqësi, u shkon në shtëpi, dhe pret castin e duhur për të shkrepur fotografinë. Për këtë arsye subjektet e saj shikojnë drejt e në sy, duke qenë të vetëdijshëm për prezencën e artistit, dhe duke përfshirë shikuesin gjithashtu. Me stilin e saj, ajo la gjurmë në fotografinë moderne duke u ndjekur nga shumë fotografë të mëvonshëm. Përderisa fotografia e Arbus lidhet me identitetin, voyeurism, personat ndryshe, në një shoqëri homofobe të viteve ‘50-‘60, jo gjithmonë u pëlqye nga publiku dhe kritika e kohës. Në një citim (Norman Mailer) thotë ‘ti japësh një kamera Diane Arbusit, është si ti japësh një fëmije një granatë dore’. Gjatë ekspozitës ‘New Documents’ në Muzeun e Artit Modern në 1967, ku Arbus u paraqit së bashku me Garry Winogrand dhe Lee Friedlander, fotografia e saj u pështy nga disa vizitorë, aq sa duhej të pastrohej çdo ditë. Ndërsa Susan Sontag, një ndër kritiket më të njohura të kohës, thotë se Diane Arbusit i mungon dhëmbshuria për subjektet e saj. Shumë veta kanë spekuluar për motivet që e shtynë Diane të fotografonte në këtë mënyrë. Por nga dorëshkrimet e saj, të cilat u bënë të njohura pas vdekjes së saj në 1971, del e kundërta. Ajo gjeti emocione, dhe pa veten të pasqyruar tek njerëzit ndryshe. Diane Arbus vinte nga klasa e pasur dhe borgjeze e shoqerisë New Yorkeze. Ajo kishte frekuentuar me rezultate të larta shkollat më të mira të vendit. Megjithatë ajo e shpërfilli origjinën e saj klasore. Këtë ndjenjë mospërkatësie dhe izolimi duket sikur kërkon tek subjektet që fotografon. Ajo mësoi fotografinë nëpërmjet Fotografisë së Modës, në studion që hapi me të shoqin. Ne 1956 në moshën 33 vjeçare ajo u shkëput prej saj, duke ndjekur vokacionin e fotografisë dokumentuese, të cilën e zhvilloi me stilin e saj personal. Një ndër shprehjet e saj është: ‘Për mua, subjekti i fotografisë është gjithmonë më i rëndësishëm sesa fotografia’; ‘Njerëzit jonormal, kanë lindur me traumën e tyre. Ata kanë kaluar testin e jetës. Ata janë aristokrat’; ‘Aktiviteti im i preferuar është të shkoj në vendet ku nuk kam qënë ndonjëherë”. 


Cindy Sherman (1954)

Është një artiste amerikane e cila përdor fotografinë për të zhvilluar disa seri autoportretesh që lidhen me stereotipet e grave në kulturën perëndimore, të krijuara nga kinematografia, televizioni, reklama. Seria e parë me të cilën ajo e bë e famshme është “Film Stills” ose “Skena Filmi” në vitet ‘70-‘80, ku paraqitet e veshur si personazhe e filmave, në skena të ngjashme nga kinematografia evropiane e viteve ‘50-‘60 dhe ajo amerikane e zhanrit noir. Në këto fotografi ajo paraqitet herë si shtëpiake, herë si sekretare, herë si grua provokative, herë tjetër si një grua në kariere dhe e pavarur. Në fotografitë bardhë e zi të ciklit, ajo ndërton një katalog personazhesh, apo enciklopedi të stereotipeve të grave në kinematografinë dhe publicitetin e kohës. Ndonëse “skenat filmike” të Sherman ngjajnë me fotografitë e publicitetit të filmave (prej të cilave ka marrë emrin cikli), asnjëra prej tyre nuk i referohet një filmi konkret. Mjeshtria e Sherman qëndron se ajo luan me stereotipet e femrave, dhe me pritshmëritë apo imagjinatën tonë, që është influencuar nga këto stereotipe. Në vitet e mëvonshme, Cindy Sherman do të zhvillojë cikle të tjera fotografike që lidhen me stereotipet e bukurisë në kulturën perëndimore, dhe me ato që vijnë nga historia e artit, duke zhvilluar akoma më shumë ndriçimin, kostumografinë dhe grimin.   

 


Annie Leibovitz (1949)

Annie Leibovitz është një fotografe amerikane e njohur për fotografimin e celebriteteve të kohës sonë, në revistat “Rolling Stone” dhe “Vanity Fair”. Por pak e dinë se në fillimet e saj ajo nisi karierën me fotografinë dokumentuese. Një perspektivë të tillë ajo mban edhe në fotografimin e konstruksionit të Ndërtesës së re të “New York Times” projektuar nga Renzo Piano. Midis viteve 2005 dhe 2006, Kompania zhvilluese Forest City Ratner porositi Annie Leibovitz të fotografonte ndërtimin e grataçelës, e cila u konkludua në ciklin fotografik “Building the Times”. E njohur për fotografimin e portreteve, edhe këtu Annie Leibovitz merr parasysh vektorin njeri. Fotografitë e “Building the Times” tregojnë se megjithë përmirësimet e teknologjisë, ndërtimi i grataçelave është akoma i varuar nga puna intensive e punëtorëve të ndërtimit dhe aftësitë e tyre individuale dhe në grup. Cikli është një homazh për qytetin e New Yorkut, dhe të kujton fotografitë e Margaret Bourke White të ndërtesave kryesore të tij. Për këtë cikël Annie shprehet “Pjesa më interesante e këtij projekti është fakti se mësova që këto ndërtesa akoma bashkohen me dorë. Të shikoje punëtorët e ndërtimit të rrëshqisnin midis kollonave të celikut dhe të montonin në lartësi trarët e rëndë, ishte një mrekulli”.