Henri Cartier-Bresson
Henri Cartier-Bresson
(Francë 1908-2003)
Henri Cartier-Bresson është një fotograf francez, një ndër figurat më me influencë të shekullit të 20-të. Ai konsiderohet si pioner i fotografisë spontane të rrugës (candid street photography), babai i fotoreportazhit modern, i cili solli një estetikë dhe praktikë të re, duke bërë që fotografia e reportazhit të pranohej si një formë arti. Emri i tij asociohet me aparatin e dorës Leica 35mm dhe me konceptin e “momentit deçiziv”. Në ditët e sotme ku jemi të rrethuar nga një oqean imazhesh fotografike, shkrepim dhe shkarkojmë në mënyrë dixhitale me mijëra fotografi në rrjetet sociale, trashëgimia e Henri Cartier-Bresson jo vetëm nuk është vjetëruar, por përkundrazi ajo na mëson mjaft gjëra mbi teknikën dhe etikën e fotografisë. Henri Cartier-Bresson konsiderohej një artist i përgjegjshëm për profesionin dhe shoqërinë ku jetonte.
Ai është artisti avant-garde, i riu rebel, gjuetari i kafshëve të egra në Afrikë, ish i burgosur i luftës në kampet naziste, fotoreporteri i ngjarjeve kryesore të pas Luftës së Dytë Botërore, bashkëthemelues i agjensisë fotografike Magnum, një figurë e cila revolucionarizoi imazhin fotografik. E megjithatë ai qëndroi deri në fund një figurë mjaft e thjeshtë, që preferonte të mos shfaqej dhe të mos jepte intervista. Ai ishte personi që qëndronte në heshtje në pritje të momentit perfekt për të fotografuar, i cili zgjidhte me kujdes shkrepjen, dhe që preferonte të njihte në avancë ngjarjet dhe njerëzit që do të fotografonte. Në trazirat studentore të vitit 1968 në Paris, me gjithë ngjarjet e vrullshme, dëshmitarët tregojnë se Bresson shkrepi me një ritëm 4 foto në orë. Siç thotë ai vetë: ‘Mua nuk më intereson fotografia, por më interesojnë njerëzit’. Për afro gjysmë shekulli ai fotografoi ngjarjet kryesore të shekullit 20-të si Luftën e Spanjës, fundin e Luftës së Dytë Botërore, Gandin pak minuta para se të vritej në 1948, ditët e para të regjimit komunist në Kinë në 1949, Indonezinë e sapodalë nga kolonializmi. Ai ishte fotografi i parë perëndimor i cili u lejua të fotografonte në Bashkimin Sovietik gjatë Luftës së Ftohtë. Merita e Breson është se krijoi imazhe të bukura dhe poetike, që portretizojnë rëndësinë e vendit dhe të kohës. Ashtu siç shprehet: “Qëllimi im ishte të shprehja esencën e një fenomeni në një imazh të vetëm”, që shpreh idenë e tij mbi “momentit deçiziv” që e shoqëroi gjithë jetën.
Fillimet në Fotografi
Henri Cartier-Bresson e filloi fotografinë në 1931, atëherë kur bleu kameran e sapodalë Leica me film 35 mm, të cilës nuk iu nda për afro gjysëm shekulli. Ai i përket brezit të fotografëve të parë evropianë të cilët eksploruan në maksimum potencialin krijues të kameras së vogël të dorës. Për Bresson – “Fotografia për mua është një skicë e shpejtë, dhe sekreti është të harrosh që mban një kamera”. Dëshira e tij fillestare ishte të bëhej piktor, (pasi kishte refuzuar kërkesën e familjes për të vazhduar traditën e biznesit familjar të tekstileve). Influencat kryesore në formimin e tij vizual, të cilat u shprehën në fotografinë e tij të mëvonshme, ishin gjeometria formale e pikturës së Rilindjes dhe serendipiti i Surrealizimit, së bashku me një shpirt të fortë aventure. I influencuar nga shkolla e piktorit kubist Lohte, Henri zhvilloi një interes për pikturën klasike me proporcione rigoroze matematikore. Më vonë ai do të thoshte se cdo gjë që dinte për fotografinë, e kishte mësuar nga Lohte. Për Bressonin, kërkimi i rregullit gjeometrik në kompozimin në viewfinder, ishte një ndër kriteret kryesore që ai zgjidhte gjatë proçesit fotografik. Ai asnjëherë nuk i priste fotot por insistonte që ato të shfaqeshin ashtu siç i kishte shkrepur, duke paraqitur madje edhe kornizën e zezë të zhvillimit të negativit. "You shoot properly while it's there", duke përforcuar kështu idenë se fotoja duhet shkrepur siç duhet që në momentin e kompozimit të saj në viewfinder. Në këtë mënyrë Henri Cartier-Bresson ndihmoi në kredibilitetin e fotoreportazhit, të pacënuar nga editimi.
Influenca e dytë në fotografinë e Bresson vjen nga një rrymë më pak racionale siç është Surrealizimi, me të cilën ai ra në kontakt në rini gjatë takimeve me figurat kryesore në “Cafe de la Place Blanche” në Paris. Prej Surrealizimit ai përvetësoi filozofinë e spontanes, shansit dhe intuitës. “"Për mua kamera është një bllok skicash, një instrument i intuitës dhe spontanitetit, mjeshtër i çastit, i cili në terma vizual, pyet dhe vendos njëkohësisht". Për Henri Cartier-Bresson, kamera Leica 35mm ishte instrumenti më i përshtatshëm për të shprehur krijimtarinë e tij artistike. Ndonëse Bresson ishte në kërkim të spontanes, kompozimet e tij nuk janë produkt i serendipitit, por ai e zgjidhte me kujdes skenën dhe priste derisa të gjithë elementet e duhur të shfaqeshin në viewfinder, për të fiksuar në film momentin e deçiziv.
Fotot e tij ndonëse pasqyrojnë një ngjarje apo moment historik, ato janë entitete të pavarura artistike. Duke kërkuar të bukurën në gjërat e zakonshme, ai lidhi artin me fotojurnalizmin. Fotografitë e tij të para i përkasin periudhës 1932-1935 gjatë udhëtimeve të tij në Itali, Spanjë, Marok, Meksikë, të cilat u paraqitën në disa ekspozita fotografike. Fotografitë e kësaj periudhe konsiderohen si më të mirat e Bresson dhe të historisë së fotografisë moderne të inspiruara nga Surrealizmi.
Bresson në kinematografi
Gjatë qëndrimit në New York në 1935, Bresson njohu Paul Strand i cili e nxiti të merrej me kinematografi. Midis viteve 1936-1939 ai punoi si asistent i regjizorit francez Jean Renoir në prodhimin e filmit Une Partie de Campagne (A Day in the Country) dhe La Règle du Jeu (The Rules of the Game). Në 1937 Bresson prodhoi filmin e parë dokumentar mbi ndihmën mjekësore në Luftën e Spanjës të titulluar Return to Life. Ndonëse Breson nuk i përkiste asnjë partie politike, orientimi i tij antifashist e çoi të punonte për gazetën e majtë Ce Soir ku njohu fotoreporterë të tjerë me të njëjtat interesa, si Robert Capa dhe David “Chim” Seymour, me të cilët pas Luftës krijoi agjensinëMagnum. Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore në 1939, Bresson iu bashkua njësisë së ushtrisë për film dhe fotografi. Në 1940 ai u kap nga gjermanët dhe u burgos në kampet e punës së detyruar. Pas dy tentativave të pasuksesshme arratisje, ai arriti të shpëtojë herën e tretë, pas së cilës kohë punoi në ilegalitet. Pas Luftës, Bresson iu kthye kinemtografisë me drejtimin e filmit La Retour, mbi rikthimin e personave të zhvendosur nga lufta. Bresson i rikthehet përsëri kinematografisë në fund të viteve ’60 me Impressions of California (1969) dhe Southern Exposures (1971). Ashtu siç thotë vetë, Bresson iu largua bërjes së filmit pasi nuk e tërhiqte drejtimi i aktorëve dhe mungesa e spontanitetit. Por nga kinematografia mësoi narrativën dhe çastin ekspresiv. Bressonit i njihet merita se ndikoi në zhvillimin e zhanrit cinema verite.
Bresson në Magnum
Pas ekspozitës së Bresson në MOMA New York në 1946 dhe udhëtimit të tij në Amerikë i cili konkludohet me një libër fotografik, Bresson ndërmerr të kryejë me kohë të plotë profesionin e fotoreporterit duke ndjekur këshillën e Robert Capas, i cili kishte kuptuar rëndësinë e këtij profesioni në shoqërinë e pas-Luftës. Së bashku me Robert Capa, David Seymour, George Rodger themeluan në vitin 1947 agjensinë e parë fotografike kooperative Magnum. Organizata i ofronte gazetave dhe revistave të kohës, mbulimin me fotografi të ngjarjeve kryesore nga fotoreporterët me të talentuar, duke ruajtur autorsinë dhe lirinë e tyre të zgjedhjes. Nën kupolën e Magnum Bresson veshi petkun e fotoreporterit dhe fotografoi ngjarjet kryesore në Indi, Kinë, Indonezi, Egjipt. Këto fotografi u botuan në formën e disa librave midis viteve 1952 dhe 1956. Më i njohuri prej tyre është ai i botuar në vitin 1952 me titullin “Images à la sauvette”, i perkthyer ne anglisht “The decisive moment”, i cili i referohet idesë kryesore të Bresson mbi fotografinë- "ai çast kur, me një qartësi të madhe, pamja e subjektit zbulon në thelbin e saj domethënien e ngjarjes, pjesë e së cilës është, organizimi më domethënës i formave"
Midis viteve 1963-1965 Bresson fotografon në Kuba, Meksikë, Indi. Librat e mëvonshëm të tij janë France (1971), The Face of Asia ( 1972), About Russia (1974). Me shpirtin e tij nomad ai u bë dëshmitar i ngjarjeve kryesore të pas Luftës së dytë botërore, të kalimit të pushteteve. Ai fotografoi njerëzit e thjeshtë me po atë rëndësi që fotografoi njerëzit e famshëm të artit dhe politikës.
Në fillim të viteve ‘70, Bresson shkëputet plotësisht nga fotografia dhe i përkushtohet pikturës. Në vitin 2003, Bresson së bashku me bashkëshorten Martin Franck, fotografe e agjensisë Magnum, dhe vajzen e tyre, themelojnë Fondin Henri Cartier-Bresson. Negativët e Bresson janë në pronësi të Fondacionit dhe të agjensisë Magnum. Ai la një trashigimi prej afro gjysëm millioni negativa, të shkrepur gjatë një periudhe rreth 70 vjeçare.
Magnum Agency
https://www.magnumphotos.com/photographer/henri-cartier-bresson/
Fondacioni Henri Cartier-Bresson