TATÌ SPACE photography center

View Original

Libri Fotografik "Albanian Scapes"

Albanian Scapes, Alketa Misja

Libri Fotografik “Albanian Scapes” është libri i parë i botimeve Tati Space, me fotografi nga Alketa Misja dhe parathënie nga Andi Papastefani dhe Falma Fshazi.

Tashmë e vlefshme në Amazon dhe Blurb Bookstore

Amazon Store: ISBN Hardcover, ImageWrap: 9798881301958

Blurb Bookstore: ISBN Hardcover, ImageWrap: 9798881287856

Blurb Bookstore: ISBN Hardcover, Dust Jacket: 9798210988904

Language: English, Albanian

Standard Landscape, 10x8 inch, 25x20cm

100 pages, 87 photos, Premium Lustre Paper


Një udhëtim fotografik në peizazhin shqiptar siç shihet nga një arkitekte dhe urbaniste. Një Peizazh në transformim të vazhdueshëm nën ndikimin e aktiviteteve njerëzore dhe urbanizimit të shpejtë. Një peizazh i brishtë që nuk do të jetë më i njëjtë. Fotot e librit perfshijnë një hark kohor nga 2008 deri 2022. Ky është projekti më i gjatë fotografik nga Alketa Misja. Projekte të tjera fotografike prej të njëjtës autore janë Artifact Project - Fotografimi i Trashëgimisë Industriale të Periudhës Socialiste dhe Fotografimi i Arkitekturës Moderne në Shqipëri.

Në parathënien e saj Peizazhi si Trashëgimi, Falma Fshazi shkruan “Nëpërmjet punës së Alketa Misjes, peizazhi i Shqipërisë shfletohet si një album qindra faqesh. Secila foto është një libërth historie natyre, ekologjie, apo urbanizimi. Të gjitha bashkë, fotot dokumentojnë trashëgiminë shqiptare dhe peizazhin si trashëgimi.

Në Shqipërine e Albanian Scapes, ne rikujtojmë qytetet që ndërrojnë fytyrë me shpejtësi, teksa mbushen me ndërtesa të larta po aq sa me histori ende për t’u dëgjuar. Histori që mbivendosen, por vazhdojnë të jenë vetvetja, ashtu si dhe peizazhi urban shqiptar, transformimi i të cilit ka vijuar me intensitet drejt kodrave, fushave e brigjeve të lumenjve, duke hyrë edhe ku nuk i takon, por pa tjetërsuar dot ndjesinë e pamjen mesdhetare, gjurmët e kohëve, e as natyrën mikpritëse të vendasve”

Në parathënien e tij Në Shqipëri - Mes Peizazhit Natyror dhe Njerëzor, Andi Papastefani shkruan “Në këtë botim estetik e të veçantë, pamjet e këndshme të ngacmojnë syrin dhe mendjen. Ndryshe nga botime të tjera mbi Shqipërinë, ku theksohen vetëm bukuritë natyrore, ose në raste të tjera, veçse anarkia urbane, Alketa ka arritur të evidentojë kompleksitetin, kontrastin dhe problematikat e këtij vendi, me të cilin natyra është treguar aq bujare. Ky botim thekson përgjegjësinë e shoqërisë dhe banorëve për të kryer aktivitetet jetësore me sa më pak impakt negativ tek natyra

Si arkitekte dhe fotografe, ajo e prezanton këtë situatë plot kontradikta në narrativën e saj fotografike nëpër Shqipëri, me anë të imazheve ikonike që të shtyjnë të mendosh, të kuptosh vlerën e vërtetë të peizazhit, kulturës, historisë, si edhe atë që kemi humbur. “