Topografia e Re: Fotografimi i Peizazhit të ndryshuar nga njeriu
Në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970, një grup fotografësh u shfaqën në skenën artistike me një vizion të veçantë. Ata drejtuan lentet e tyre jo te peizazhet piktoreske, natyrore që kishin dominuar botën e fotografisë për dekada, por te transformimi shpesh i anashkaluar dhe ndonjëherë jo tepër tërheqës i peizazhit amerikan nga aktivitetet njerëzore. Kjo lëvizje, e njohur si Topografia e Re, përfaqësoi një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si ne e shohim botën sot, duke u përqendruar në "peizazhin e ndryshuar nga njeriu", në një mënyrë unike dhe provokuese.
Në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970, një grup fotografësh u shfaqën në skenën artistike me një vizion të veçantë. Ata drejtuan lentet e tyre jo te peizazhet piktoreske, natyrore që kishin dominuar botën e fotografisë për dekada, por te transformimi shpesh i anashkaluar dhe ndonjëherë jo tepër tërheqës i peizazhit amerikan nga aktivitetet njerëzore. Kjo lëvizje, e njohur si Topografia e Re, përfaqësoi një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si ne e shohim botën sot, duke u përqendruar në "peizazhin e ndryshuar nga njeriu", në një mënyrë unike dhe provokuese.
Lëvizja e ka origjinën në një ekspozitë të titulluar "Topografia e Re: Fotografitë e një peizazhi të ndryshuar nga njeriu", kuruar nga William Jenkins në 1975 në Shtëpinë George Eastman në Rochester, Nju Jork. Ekspozita paraqiti punën e dhjetë fotografëve bashkëkohorë; Robert Adams, Lewis Baltz, Bernd dhe Hilla Becher, Joe Deal, Frank Gohlke, Nicholas Nixon, John Schott, Stephen Shore dhe Henry Wessel. Termi "Topografia e Re" u krijua për të përshkruar fokusin e këtyre fotografëve në kapjen e transformimit të peizazhin amerikan, veçanërisht të Amerikes Perëndimore.
Tema dhe koncepte të Lëvizjes “Topografia e Re”
Objektiviteti dhe peizazhi urban:
Fotografët e Topografisë së Re braktisën romantizmin dhe idealizmin e lidhur tradicionalisht me fotografinë e peizazhit. Në vend të kësaj, ata adoptuan një qasje më objektive dhe të shkëputur për të kapur mjedisin bashkëkohor urban dhe periferik. Fotografitë e tyre përshkruanin mjedisin e ndërtuar, shtrirjen periferike, strukturat industriale dhe aspektet e zakonshme të jetës së përditshme, që po ndodhnin në peizazhin amerikan të pasluftës, me një ndjenjë objektiviteti dhe një shkëputje pothuajse shkencore.
Minimalizmi dhe Formalizmi:
Fotografët e Topografisë së Re përqafuan një estetikë minimaliste dhe formaliste, shpesh duke përdorur kompozime të drejtpërdrejta, gjeometri të qarta dhe një fokus në cilësitë e qenësishme të subjektit. Imazhet e tyre theksonin aspektet formale të fotografisë, të tilla si fokusi, ndriçimi dhe qartësia, të cilat ishin në kontrast me stilet e romantizuara dhe subjektive të së kaluarës.
Kritika e Kulturës së Konsumizmit:
Lëvizja shërbeu si një përgjigje kritike ndaj kulturës së konsumizmit dhe pasojave mjedisore të zhvillimit të pakontrolluar urban. Fotografitë e parkingjeve, ndërtesave industriale dhe trakteve të banesave periferike nxirrnin në pah erozionin e peizazheve natyrore dhe abuzivizmin e strukturave të krijuara nga njeriu. Duke vepruar kështu, ata inkurajuan shikuesit të reflektojnë mbi ndikimin e konsumizmit dhe industrializimit në mjedis.
Fotografë të shquar
Lëvizja e Re Topografike prezantoi një grup fotografësh të cilët luajtën një rol kryesor në ripërcaktimin e zhanrit të fotografisë së peizazhit. Disa figura të spikatura janë:
Lewis Baltz: Baltz kapi thelbin e lëvizjes, veçanërisht në serinë e tij "Parqet e reja industriale pranë Irvine, Kaliforni”. Ai fotografoi peizazhe sterile me një vëmendje të përpiktë ndaj kompozimit dhe detajeve.
Robert Adams: Puna e Adams shpesh përqendrohej në zgjerimin urban dhe periferik në Kolorado. Seria e tij "Perëndimi i ri" përshkruante skena që sfidonin nocionin e ëndrrës amerikane në epokën e pasluftës. Imazhet e Adams karakterizoheshin nga kompozimet e tyre të qarta dhe një ndjenjë e thellë qetësie, duke provokuar shikuesit të mendojnë për marrëdhënien midis njeriut dhe natyrës.
Bernd dhe Hilla Becher ishin një çift gjerman te njohur për qasjen e tyre tipologjike ndaj fotografisë. Ata dokumentuan me përpikëri strukturat industriale si kullat e ujit, rezervuarët e gazit, etj, duke renditur imazhet e tyre në rrjeta që shfaqnin ndryshimet delikate midis objekteve në dukje identike. Puna e tyre ishte instrumentale në formësimin e qasjes formaliste dhe analitike të Lëvizjes, duke theksuar ndikimin e industrisë dhe infrastrukturës në peizazh.
Stephen Shore: Seria ikonë e Shore " Vende të pazakonta " eksploron bukurinë e përditshme të peizazheve amerikane, duke kapur të zakonshmen në mënyra të jashtëzakonshme. Ai dokumentoi parkingje, skena rrugësh, motele, duke celebruar të zakonshmen dhe duke nxitur shikuesit të rivlerësojnë mjedisin e tyre.Përdorimi i ngjyrave në fotografinë e tij ishte një largim nga imazhet bardh e zi të lidhura me Lëvizjen.
Ndikimi dhe Trashëgimia
Lëvizja e Topografisë së Re përfaqësoi një ndryshim paradigmë në botën e fotografisë dhe pati një ndikim të thellë në artin bashkëkohor. Ajo i detyroi shikuesit të rishikonin perceptimet e tyre për mjedisin, ndikimin e aktivitetit njerëzor në peizazh dhe estetikën e të zakonshmes. Ndikimi i kësaj lëvizjeje mund të shihet në punën e shumë fotografëve dhe artistëve bashkëkohorë që vazhdojnë të eksplorojnë marrëdhëniet midis njerëzimit dhe mjedisit.
Rivlerësimi i subjektit fotografik:
Lëvizja detyroi një rivlerësim të asaj që mund të konsiderohet një subjekt legjitim për fotografinë. Ajo e zhvendosi fokusin nga piktoreskja drejt aspekteve të anashkaluara dhe të zakonshme të mjedisit të përditshëm. Kjo zgjeroi mundësitë për lëndën fotografike dhe frymëzoi fotografët për të eksploruar peizazhin e ndryshuar nga njeriu në mënyra të reja.
Ndikimi në fotografinë bashkëkohore:
Lëvizja Topografia e Re hodhi themelet për fotografinë bashkëkohore të peizazhit. Ajo ndikoi te fotografët që vazhdojnë të eksplorojnë marrëdhëniet komplekse midis njerëzve dhe mjedisit, shpesh duke përdorur një qasje të ngjashme të shkëputur dhe analitike.
Ndërgjegjësimi mjedisor:
Lëvizja luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet mjedisore dhe pasojat e veprimeve njerëzore në peizazh. Duke fotografuar zënien e natyrës nga hapësirat e projektuara nga njeriu, fotografët e New Topographics inkurajuan shikuesit të merrnin parasysh ndikimet e këtyre ndërhyrjeve.
Nick St.Oegger
Nick St.Oegger është një fotograf dokumentues, i cili eksploron marrëdhënien midis njerëzve dhe vendeve. Një amerikan i qetë, siç e quan veten në mediat e tij sociale, ai ka punuar në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2013. Në Shqipëri, ai ka disa projekte fotografike për çështje të ndjeshme për publikun shqiptar, siç është ndërtimi i hidrocentraleve në lumenjtë e rajonit të njohur si "Zemra Blu e Evropës" dhe ndikimin që këto kanë në biodiversitetin dhe kulturën unike të banorëve. Një intervistë e Nick St.Oegger për TatìSpace.
Nick St.Oegger është një fotograf dokumentues, i cili eksploron marrëdhënien midis njerëzve dhe vendeve. Një amerikan i qetë, siç e quan veten në mediat e tij sociale, ai ka punuar në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2013. Në Shqipëri, ai ka disa projekte fotografike për disa çështje të ndjeshme për publikun shqiptar, siç është ndërtimi i hidrocentraleve në lumenjtë e rajonit të njohur si "Zemra Blu e Evropës" dhe ndikimin që këto kanë në biodiversitetin dhe kulturën unike të banorëve.
Ai ka punuar për disa klientë si: Patagonia, Vice, Reuters, Le Monde, Libération, Polityka, De Standaard, Nieuwe Revu, Huck Magazine, Caritas Albania, The Calvert Journal, Suitcase Magazine, Point.51, Trip Advisor, Kosovo 2.0, Riverwatch, C41 Magazine, dhe Culture Trip. Nick St.Oegger ka botuar një libër mbi lumin Vjosa dhe ka bërë disa ekspozita mbi të. Prej një viti, ai jeton në Shqipëri. Jam shumë e lumtur që zoti Nick pranoi të japi një intervistë për TatìSpace dhe të ndajë punën e tij me lexuesit tanë. Më poshtë është intervista.
TatìSpace: Përshëndetje Z. Nick! Së pari, faleminderit që pranuat ftesën për t’u intervistuar dhe për të ndarë punën tuaj me lexuesit tanë. Ju lutem mund të na tregoni më shumë për veten tuaj? Si e konsideroni veten, një fotograf udhëtimesh apo një reporter/fotograf dokumentues? Si e përkufizoni fotografinë tuaj? Si lindi ideja apo interesi për të fotografuar Shqipërine?
Nick St.Oegger: Unë jam rritur në Kaliforni, por kam jetuar dhe punuar në Evropë qe prej 8 vitesh, kryesisht në Ballkan, por gjithashtu në Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Dëshira ime fillestare ishte të bëhesha avokat. Por, në vitin e fundit të universitetit pata një krizë ku kuptova se nuk ishte ajo që doja të bëja. Unë kam qenë gjithmonë i interesuar për fotografinë, por kjo ka qenë një hobi, dhe nuk e kam menduar si një opsion karriere derisa zbulova punën e disa fotoreporterëve që kanë punuar në Ballkan në vitet 1990, në Bosnjë, Kosovë dhe këtu në Shqiperi. Puna e tyre dhe ideja e përdorimit të imazheve për të treguar një histori, për të rritur ndërgjegjësimin për çështje të ndryshme me të cilat përballen individë dhe komunitete, ishte shumë frymëzuese dhe nxitëse për të filluar në këtë fushë. Ky ishte momenti që unë kuptova me gjithë qenien time se doja të isha një tregimtar vizual. Unë e konsideroj veten një fotograf dokumentues, gjithmonë në përpjekje per të komunikuar një histori apo të hedh dritë mbi një çështje të veçantë, dhe për mua fotografitë janë mënyra sesi e bëj këtë, ndonëse edhe shkrimi është i rëndësishëm në punën time.
Për herë të parë kam ardhur në Shqipëri në vitin 2013, në udhëtimin tim të parë në Ballkan. Nuk dija asgjë për Shqipërinë dhe kryesisht më interesonte të shihja vendet e ish-Jugosllavisë. Unë pashë Shqipërinë në hartë dhe pyeta disa njerëz në lidhje me të, të gjithë kishin përgjigje shumë negative si "Oh ju nuk duhet të shkoni atje sepse drejtohet nga mafia" ose "Ështe e rrezikshme, do ju rrëmbejne" ose "Pse do të shkoni në Shqipëri? Nuk ka asgjë për të parë! "
Mendoja këto gjëra ndërsa planifikoja udhëtimin tim dhe kisha ndërmend të shmangja Shqipërinë. Mbërrita në Stamboll, shkova në Athinë ku prenotova një fluturim për në Venecia dhe do të kaloja disa kohë më pas në bregdetin e Kroacisë. Por në mëngjesin kur duhej të largohesha nga Greqia, u zgjova dhe mendimi i parë që kisha ishte "Shko në Shqipëri". Është e vështirë të shpjegohet, ishte si një lloj vizioni, apo fati. Kështu që lashë fluturimin, dhe në vend të tij, mora autobuzin e parë që gjeta për në Shqipëri dhe vazhdimi është histori. Ishte me të vërtetë një vendim që më ndryshoi jetën. Në Shqipëri takova shumë njerëz të mahnitshëm, pashë sa i bukur dhe unik është ky vend, por sa pak bota e jashtme di ose mendon për të. Kështu që në atë udhëtim vendosa ta përqëndroj vëmendjen time në Shqipëri dhe Ballkan, sepse është një rajon që shumë njerëz thjesht nuk e kuptojnë, madje edhe në Evropë.
TatìSpace: Këtu në Shqipëri, ju keni një numer të madh fotografish, që përfshijnë një zonë të gjerë gjeografike (nga Veriu në Jug), dhe një larmi temash (nga bunkerët te lumenjtë në Alpet Shqiptare). Nga këto, unë mund të identifikoj dy projekte kryesore që janë shumë të ndjeshme për publikun shqiptar: "Vajtimi i Maleve" dhe "Kuçedra". Si lindi ideja për këto projekte? A ishin projekte të porositura apo punë personale?
Nick St.Oegger: Po, të dy projektet janë projekte personale afatgjata, që unë i kam filluar vetë dhe më pas kam marrë mbështetje të mëtejshme. Të dy këto projekte kanë filluar në një mënyrë mjaft organike. Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, mbaj mend që kam marrë autobuzin nga Gjirokastra për në Tiranë dhe kam kaluar Vjosën afër Tepelenës. Më kujtohet ngjyra e ujit; ishte diçka që nuk e kisha parë më parë. Disa vite më vonë ndërsa lexoja një revistë në SH.B.A. u ndesha me një artikull të shkurtër në lidhje me Vjosën, se si ajo ishte një nga lumenjtë e fundit me rrjedhje të lirë në Evropë, por që qeveria po planifikonte të ndërtonte diga në të. E kuptova që ishte lumi që kisha parë në udhëtimin tim të parë dhe ndjeva një dëshirë të fortë për t'u kthyer, për të dokumentuar lumin, peisazhet, njerëzit përgjatë rrjedhës së tij. Përsëri, mendoj se ishte kjo ndjenjë e fatit. Duke punuar në projekt tani ndiej këtë lidhje shumë të fortë me Vjosën, dhe sa herë që kthehem më duket sikur vizitoj një mik të vjetër.
Në të njëjtën mënyrë, "Vajtimi i Maleve" u krijua disa vite më vonë, pasi takova një antropologe e cila po punonte në rajonin e Kelmendit dhe ajo më tregoi për situatën e lumenjve atje; se si po ndërtohen edhe atje diga të vogla hidroenergjitike. Ajo më tregoi për kulturën në luginë, se si njerëzit janë akoma të lidhur me tokën, si lëvizin me delet e tyre në kullotat e larta gjatë verës. Ndjeva se kjo ishte një histori tjetër që duhej të tregoja, sepse për mua malet janë një pjesë shume e rëndësishme e Shqipërisë, ashtu si edhe kjo kulturë rurale dhe lidhje shumë e fortë me tokën.
TatìSpace: Në të dy projektet tuaj ekziston një ndërlidhje midis vështrimit të përgjithshëm (mjedisor, politik, ekonomik) dhe këndvështrimit personal (ndikimit që projektet kanë në jetën e njerëzve). Kjo u jep atyre një bukuri të ndërlikuar. Ju kaloni nga fotografitë e peisazhit të panoramave të mëdha tek portretet e malësorëve dhe fshatarëve që jetojnë afër Vjosës. A keni pasur vështirësi për t’iu qasur kësaj lloj fotografie? A mund të ndani një episod që ju ka bërë përshtypje, për shembull takimi me fshatarët apo autoritetet? Gjithashtu, a keni pasur ndonjë problem apo incident me grupe ose individë që mbështesin projektet e digave?
Nick St.Oegger: Po, është e drejtë dhe mendoj se është pikërisht kjo ndërlidhje që është kaq unike dhe e rëndësishme në Shqipëri. Jashtë Tiranës, ka ende shumë vende që janë shumë rurale, ku njerëzit janë ende duke jetuar një jetë mjaft tradicionale. Kjo ka anën e saj negative, si varfëria dhe probleme të tjera, por unë mendoj se mënyra si shumë njerëz ende jetojnë me tokën në Shqipëri është unike, dhe njerëzit krenohen me këtë punë, ata ndiejnë një lidhje të fortë me tokën e tyre dhe historinë e saj. Kështu që për mua, veçanërisht me këto dy projekte, është shumë e rëndësishme të tregoj njerëzit në kontekstin e tokës, për të treguar që nuk kërcënohet vetëm njëri ose tjetri, por janë të dy, për shkak të ndërlidhjes së fortë midis mjedisit dhe njerëzve në Shqipëri. Dhe kjo lidhje është pikërisht ajo që po kërcënohet nga kaq shumë propozime, qoftë nga qeveria, apo investitorë të huaj.
Mund të jetë e vështirë t'i qasesh kësaj lloj fotografie. Unë kaloj shumë kohë duke punuar në komunitete të vogla, për të fituar besimin e njerëzve, gjë që është e vështirë të bëhet në Shqipëri. Mendoj se ka shumë mosbesim, për shkak të historisë me komunizmin, por edhe të historisë së viteve të fundit. Njerëzit kanë parë të vijnë gazetarë të huaj, të bëjnë fotografi për disa ditë dhe pastaj të largohen. Unë gjithmonë jam përpjekur të krijoj marrëdhënie më të forta me subjektet e mia, të përpiqem t'i njoh më parë si njerëz. Gjithmonë përpiqem të kthehem kur mundem, për t'iu dhënë atyre printime të disa prej fotove që kam bërë prej tyre. Një aspekt tjetër i rëndësishëm për mua ka qenë mësimi i gjuhës shqipe, e cila është e vështirë, por ka hapur kaq shumë dyer. Mendoj se për arsye se gjuha është shumë e rëndësishme për njerëzit këtu, ata më besojnë më shumë kur shohin se po përpiqem të flas me ta në gjuhën e tyre.
Ndoshta një nga përvojat më mbresëlënëse ishte kur qëndrova me barinjtë në Kelmend gjatë verës. Ne migruam me një tufë prej 200 delesh, unë eca 40 km me ta në strehën e tyre afër Lepushës. Ishte bukur të kaloja kohë me ta atje, të shihja sesi kujdeseshin për delet dhe familjet e tyre, të shihja mënyrën se si fëmijët ndihmonin për gjithçka dhe sa njohuri ata kanë për mjedisin, motin, si kujdesen për veten dhe rregullojnë gjërat. Para kësaj, ‘malësorët’ ishin mister për mua. Kisha dëgjuar vetëm disa histori dhe stereotipa, kështu që ishte një përvojë e mahnitshme të shihja realitetin e tyre dhe jam shumë i nderuar që ata më dhanë besimin e tyre dhe më lejuan të qëndroja me ta dhe të fotografoja.
TatiSpace: Projekti juaj "Kucedra" është ekspozuar dhe botuar në një libër. A mund të na tregoni diçka më shumë për këtë? Si ju duket ky aspekt i fotografisë, kur projekti komunikon me publikun? A pati ndikim projekti?
Nick St.Oegger: Shumë e drejtë, unë botova librin "Kuçedra" fillimisht në vitin 2018 dhe gjithashtu kam ekspozuar punën disa herë. Për mua ishte e rëndësishme që këto foto të shkonin në botë në një mënyrë fizike, jo vetëm në ekranet e njerëzve. Botimi i librit më lejoi të rris ndërgjegjësimin për Vjosën dhe çështjet që lidhen me zhvillimin e hidrocentraleve në shkallë ndërkombëtare. Isha me fat që pata partner Patagonian dhe fushatën “Shpëto Zemrën Blu të Europës”, kështu që libri u shpërnda në të gjithë botën, përfshirë anëtarët e Parlamentit Evropian të cilët janë përpjekur të bindin qeverinë shqiptare për të shpëtuar Vjosën.
Ekspozimi i punës ka qenë gjithashtu i rëndësishëm, veçanërisht ekspozitat në Greqi dhe Shqipëri. Për grekët ishte një mundësi që ata të shikonin diçka nga Shqipëria, e cila është kaq afër por dhe kaq larg njëkohësisht (një vend që shumë prej tyre nuk do ta konsideronin të vizitonin). Shumë njerëz që shikonin fotografitë më thonin “E dini, këto vende mund të jenë këtu. Ne nuk jemi aq të ndryshëm”, dhe kjo ishte shumë e këndshme për t’u dëgjuar, duke pasur parasysh disa nga konfliktet historike dhe tensionet që ekzistojnë midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Ishte shume e rëndësishme për mua të ekspozoja këtë vepër edhe në Shqipëri, në mënyrë që njerëzit të mund të shikonin bukurinë e vendit të tyre në një mënyrë që nuk mund t’a kishin bërë më parë. Ishte vërtet një përvojë e bukur të flisja me njerëzit në ekspozitë dhe të shikoja sesi ata kishin nje lidhje me punën time, për të parë se si i bën ata ta konsiderojnë vendin e tyre në një mënyrë tjetër. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua, sepse unë dua që puna ime të flas me shqiptarët. Nuk dua që të jetë vetëm për të huajt që të shohin këtë vend "ekzotik". Shpresoj që puna ime të lidhet edhe me shqiptarët e zakonshëm.
TatìSpace: A mund të ndani me ne diçka më shumë rreth projekteve ose ekspozitave tuaja të ardhshme (nëse preferoni)?
Nick St.Oegger: Jam duke planifikuar të shkruaj një libër tjetër për këto 8 vitet e fundit që kam punuar në Shqipëri. Do të jetë një përzierje e fotove dhe historive personale nga koha ime këtu. Është diçka që kam dashur të bëj për disa kohë. Gjithashtu do të vazhdoj të punoj me hidroenergjinë, duke dokumentuar zonat ku lumenjtë janë shkatërruar nga digat. Kështu, në një farë mënyre do te vazhdoj me punën që kam filluar vite më parë me "Kuçedrën", dhe është mirë të vazhdoj të ndjek këtë çështje me hidrocentralet dhe efektet që ata kanë në komunitetet dhe mjedisin në Shqipëri.
Shpresoj të vazhdoj edhe me ekspozitat, të cilat fatkeqësisht nuk kanë qenë të mundura gjatë pandemisë, por mbase me përmirësimin e situatës do të kem mundësi të tregoj më shumë nga puna ime si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj.
TatìSpace: Faleminderit Nick për intervistën dhe shpresoj shumë të shikojmë punë të tjera tuajat nga Shqipëria.
Me lejen e autorit, paraqesim një përmbledhje të dy projekteve kryesore të Nick St.Oeger për Shqipërinë, "Kuçedra" dhe "Vajtimi i Maleve". Më shumë mund të gjeni në faqen e tij të internetit: www.stoeggerphotography.com
Në serinë "Kucedra", Nick St.Oeger eksploron lumin e fundit të egër të Evropës: Vjosën (në Shqipëri) dhe projektet e propozuara të hidrocentraleve përgjatë tij, që do të ndryshojnë rrjedhën e lumit, duke dëmtuar biodiversitetin e pasur dhe unik dhe duke zhvendosur mijëra njerëz për shkak të krijimit të rezervuarëve. Një burim kryesor i jetës për shumë lloje të rrezikuara të bimëve dhe kafshëve - shumë prej të cilave janë zhdukur nga pjesa tjetër e lumenjve të Evropës - Vjosa ka gjithashtu një rëndësi kulturore dhe ekonomike për komunitetet rurale përgjatë brigjeve të saj, të cilat dikur luanin një rol të rëndësishëm në industrinë bujqësore të Shqipërisë . Përmes peisazheve, portreteve dhe detajeve të brendshme, autori portretizon mjedisin e Vjosës në gjendjen e tij natyrore, pasi përballet me kërcënimin e ndryshimit të përhershëm.
Në projektin "Vajtimi i Maleve", Nick St.Oegger fotografon "Malësorët" e Kelmendit, një kulturë e lashte baritore dhe një nga më të fundit në Evropë, ekonomia e të cilëve kërcënohet nga një duzinë digash të planifikuara për t'u ndërtuar gjatë lumenjve alpinë. Ndërsa qeveria merr subvencione dhe kredi nga bankat perëndimore për të zgjidhur krizën energjitike në vend me ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, nuk bëhet asnjë konsultë publike për të vlerësuar ndikimin në biodiversitetin e pasur dhe mënyrën e jetesës së barinjve malësorë. Në Itali, Austri dhe Greqi, UNESCO ka njohur mbrojtjen e praktikave te lashta baritore, si një trashëgimi njerëzore, ndërsa në Shqipëri nuk ka asnjë status të tillë, që e bën ekzistencën e tyre akoma më të vështirë.