Eugène Atget
Tatì Space
Eugène Atget
(Francë 1857 - 1927)
Eugène Atget është një fotograf francez, i njohur për fotografimin e arkitekturës të Parisit të vjetër në fund të shekullit 19-të dhe fillim të shekullit 20-të. Atget njihet si pioneri i fotografisë dokumentuese moderne, ndonëse vepra e tij u vlerësua pas vdekjes, kur Berenice Abbott bleu arkivën e negativave dhe printimeve dhe i bëri të njohura në Amerikë nëpërmjet botimit të librave dhe ekspozitave. Atget filloi të fotografojë në një moshë relativisht të vonë, rreth të tridhjetave, në fund të viteve 1880, kur fotografia kishte filluar të popullarizohej si rezultat i avancimeve në teknlogji. Subjektet e tij të para ishin motivet floreale dhe skenat rurale, të kërkuara nga klientë piktorë dhe ilustratorë. Por në fund të viteve 1890, fokusi i tij u bë Parisi i cili vazhdoi të mbetet për 30 vitet në vazhdim deri në fund të jetës së tij. Në këtë periudhë Parisi kishte qënë pjesë e projekteve modernizuese Haussmaniane, të cilat kishin rrafshuar lagjet e vjetra në këmbim të bulevardeve të gjera dhe ndërtesave të reja të borgjezisë. Ky operacion i cili u inicua nga Napoloni i III dhe u ndërmor nga George-Eugene Haussmann midis viteve 1853-1927, nuk mbeti pa u kritikuar nga disa grupime. Në këtë klimë, Atget interesohet për Parisin e vjetër, duke fotografuar atë cfarë kishte mbetur prej tij; rrugët, ndërtesat e vjetra, dyer, dritare, vitrina dyqanesh, shkallare, parqe, dhe artifakte të ndryshme. Në kartën e tij të biznesit shkruan “Creator and Purveyor of a Collection of Photograph Views of Old Paris” (krijues dhe ofrues i një koleksioni pamjesh fotografike të Parisit të vjetër". Klientët e tij ishin arkitektët, piktorët të cilët donin ekzemplarë të arkitekturës së vjetër për veprat e tyre, institucionet shtetërore të arkivave, dhe individë të cilët kërkonin të kishin fotografi të Parisit të vjetër.
Atget krijoi një arkivë të pasur prej 5,000 negativash dhe 10,000 printimesh duke punuar në disa seri fotografike, si shtëpitë dhe rrugët, profesionet, parqet, vitrinat. Deri në fund të jetës ai përdori teknikën e vjetër të fotografimit me view camera në negativë xhami 18x24 cm, e cila i jepte fotografive një ndjesi kontempluese. Atget e quante veten fotograf dokumentues. Gjatë kohës që jetoi, fotografia e tij nuk u konsiderua si Art pasi nuk hynte as në kanonet e artit tradicional Piktorialist, dhe as në lëvizjen moderne të fotografisë surrealiste dhe konstruktiviste të fillim shekullit. Vepra e tij tërhoqi vëmendjen e surrealistit Man Ray dhe asistentes së tij Berenice Abbott, e cila e vizitoi shpesh studion e fotografit gjatë viteve të fundit të jetës së tij, dhe pas vdekjes në 1927 bleu arkivën prej 1,000 negativësh dhe 10,000 printimesh. Abbott punoi në mënyrë të palodhur për të bërë të njohur Atget në Amerikë nëpërmjet shkrimit të eseve, botimit të librave dhe shfaqjes së ekspozitave. Vepra e Eugèn Atget shërbeu si frymëzim për një gjeneratë te re fotografësh si Walker Evans, Ansel Adams, dhe të tjerë, për të paraqitur faktet e zakonshme të jetës me qartësi dhe poetizëm.