Saul Leiter
Tatì Space
Saul Leiter
(ShBA 1923- 2013)
Saul Leiter është një fotograf dhe piktor amerikan, i njohur për fotografitë e tij të qytetit të New Yorkut në fund të viteve 1940 deri në vitet 1960, si një ndër pionerët e filmit me ngjyra. Leiter gjeti momente të qeta brenda kaosit urban dhe i portretizoi ato në mënyrë piktoreske. Puna e tij ka lidhje me Ekspresionizmin Abstrakt Amerikan dhe Shkollën Fotografike të New Yorkut. Fotografia e tij dallohet nga kompozimet abstrakte, tonaliteti i ngjyrave, minimalizmi, ndjesia intime dhe voyeurism-i që e dallon nga vepra e bashkëkohësve të tij si Robert Frank, Diane Arbus dhe William Klein. Leiter fotografoi vende të qeta brenda territorit të lagjes ku banonte. “Unë fotografoj në lagjen time. Mendoj se gjërat misterioze ndodhin në vende të njohura”.
Ndër subjektet e preferuara të Leiter janë kalimtarët ose reflektimet e tyre, të fotografuara nga vitrinat e dyqaneve, së bashku me çadrat, ditët me dëborë, taksitë, tabelat dhe reklamat në rrugë, duke formuar kompozime abstrakte në shtresa të mbivendosura të fokusit dhe jashtë-fokusit. “Më ndodh të besoj në bukurinë e gjërave të thjeshta. Unë besoj se gjëja më jointeresante mund të jetë shumë interesante.” Në filmin dokumentar kushtuar Leiter, nga Tomas Leach, me titull In No Great Hurry: 13 Lessons in Life with Saul Leiter, në moshën 88-vjeçare fotografi thotë: "Unë mund të jem jashtë mode. Por besoj se ka një gjë të tillë si kërkimi për të bukurën - kënaqësia në gjërat e bukura në botë. Dhe nuk mendoj se dikush duhet të kërkojë falje për këtë."
Një nga kontributet e Leiter është se ai solli një estetikë të re në fotografinë e rrugës, duke përdorur filmin me ngjyra në fillim të viteve '50, shumë përpara se të vlerësohej në skenën e artit të viteve '70. Për një kohë të gjatë, filmi me ngjyra nuk konsiderohej një formë arti, sepse ai ishte i shtrenjtë dhe i paparashikueshëm në printim. Kjo bëri që shumë artistë të përdornin filmin bardh e zi, duke krijuar bindjen se filmi me ngjyra ishte më pak artistik. Megjithatë, Leiter fotografoi për një kohë të gjatë me ngjyra, shpesh duke përdorur filmin Kodachrome të skaduar, i cili u dha fotografive një nuancë të veçantë. Për këtë arsye, ai konsiderohet si pionier i fotografisë me ngjyra. Leiter zhvilloi gramatikën e tij vizuale, duke i kthyer momentet e zakonshme të përditshme në imazhe të bukura abstrakte. "Unë admiroja një numër të madh fotografësh, por për disa arsye arrita në një këndvështrim timin."
Saul Leiter refuzoi të shpjegojë punën e tij. "Unë nuk kam një filozofi, kam një aparat fotografik." Por në këmbim na la shumë shprehje të bukura që tregojnë natyrën e një artisti jokonvencional. Në një intervistë ai shprehet: “Ne jetojmë në një botë plot pritshmëri dhe nëse ke guxim, i shpërfill pritshmëritë. Dhe mund të presësh me padurim telashet.” Dhe natyra e Leiter kishte qenë jokonvencionale që në rininë e tij, kur në moshën 22 vjeçare braktisi studimet teologjike dhe kundër dëshirës së familjes u transferua në Nju Jork nga vendlindja e tij Pittsburgh për tu bërë piktor. Atje ai gjeti afinitet me ekspresionizmin abstrakt. Pas kontakteve me piktorin ekspresionist Richard Pousette-Dart dhe fotografin W. Eugene Smith, ai filloi të bënte fotografi për të fituar para. Fotot e para janë bardh e zi të miqve dhe skenave urbane. Në vitet 1950, kuratori Edward Steichen prezantoi fotografitë e Leiter-it në Muzeun e Artit Modern: në vitin 1953, në ekspozitën Gjithmonë të Panjohurit e Rinj dhe në leksionin e slideve të vitit 1957, Fotografia Eksperimentale me Ngjyra. Leiter punoi si fotograf i modës për Harper's Bazaar, Elle, British Vogue dhe revista të tjera, ku zhvilloi një stil të ngjashëm me fotografinë e tij të rrugës.
Në vitet 1980, Leiter u përball me vështirësi financiare dhe u detyrua të mbyllë studion e biznesit të tij . Për dy dekada ai punoi në heshtje, duke pikturuar dhe fotografuar në lagjen e tij East Village. “Kam kaluar një pjesë të madhe të jetës sime duke u injoruar. Unë kam qenë gjithmonë shumë i lumtur me këtë gjë. Të injorohesh është një privilegj i madh. Kështu mendoj se kam mësuar të shoh atë që të tjerët nuk shohin dhe të reagoj ndryshe ndaj situatave. Unë thjesht kam vëzhguar botën, i përgatitur për asgjë.”
Fotografia e rrugës e Leiter fitoi vëmendje 50 vjet pasi ai krijoi shumë prej veprave të tij, me botimin e librit të tij të parë, Early Color, në 2006, e ndjekur nga seti me dy vëllime Early Black and White në 2014 dhe koleksioni nudo In My Room në 2018, së bashku me një sërë ekspozitash.
Studio e Saul Leiter në East Village të Nju Yorkut, ku ai punoi dhe jetoi nga viti 1952 deri në fund të jetës së tij në 2013, është bërë tanimë shtëpia e Fondacionit Saul Leiter, i cili ka për qëllim të ruajë dhe promovojë artin dhe trashëgiminë e fotografit. Arkivi përfshin mijëra printime, slide, negativë dhe piktura, shumë prej të cilave ende nuk janë bërë të njohura për publikun.
Shënim i editorit: Falenderojmë Fondacionin Saul Leiter për imazhet e ofruara dhe ndihmën në përzgjedhjen e informacionit:
Libra nga Saul Leiter:
Burimi i citimeve të Saul Leiter:
Filmi dokumentar kushtuar Leiter, me regji nga Tomas Leach, In No Great Hurry: 13 Lessons in Life with Saul Leiter:
Intervista që Leiter ka dhënë në vitet e fundit të jetës së tij:
Saul Leiter in Conversation with Vince Aletti, May 2013
Part 1 - Lecture by Saul Leiter: New York Reflections
Part 2 - Lecture by Saul Leiter: New York Reflections
Part 3 - Lecture by Saul Leiter: New York Reflections
Part 4 - Lecture by Saul Leiter: New York Reflections
podcast from 2006 interview with Mitch Teich on WUWM’s Lake Effect radio show