"Journey beyond the horizon" - photography Meti Spahiu
Në rubrikën ‘Fotografët Shqiptar Emergjent’ në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës, sjellim fotografin e ri kosovar Meti Spahiu. Meti është diplomuar si arkitekt në Fakultetin Teknik të Vienës TU WIEN dhe prej disa vitesh jeton dhe punon në Vjenë.
Në rubrikën ‘Fotografët Shqiptar Emergjent’ në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës, sjellim fotografin e ri kosovar Meti Spahiu. Meti është diplomuar si arkitekt në Fakultetin Teknik të Vienës TU WIEN dhe prej disa vitesh jeton dhe punon në Vjenë. Ai prezantohet për herën e dytë në TatìSpace, pas shfaqjes të tij të parë me Serinë Fotografike bardhë e zi “Big Cities in my Eyes”. Kësaj rradhe, fotografitë e tij janë së shumti me ngjyra, por nuk mungojne edhe ato bardhë e zi. Motivi mbetet i njëjtë- subjekti i tij i preferuar; Fotografia e Arkitekturës e qyteteve të Europës, shkrepur gjatë udhëtimeve të tij. Secila prej fotografive sjell kujtime personale nga qytetet si Insbruk dhe Zyrih. Fotografitë e tjera janë bërë në Vjenë, Munih, Bratisllav. Autori e titullon Serinë “Journey beyond the Horizon” (dedikuar A.Sh). Ashtu siç thotë edhe vet më parë, “ideja e fotografive të mia është që të sjell imazhe të bukura, që tërheqin vëmendjen e publikut për estetikën e objekteve të fotografuara. Do të doja që njerëzit që kalojnë çdo ditë pranë një ndërtese në mënyrë të shpenguar, kur shohin fotografinë të zbulojnë bukurinë e arkitekturës së saj. Për mua, fotografia është një fushë që nuk do më zhgënjejë, dhe që do eci paralelisht me profesionin e arkitektit”.
Rozafa Shpuza
Rozafa Shpuza është njëherësh poete dhe fotografe, risi që krijon një ndërthlidhje unike midis dy arteve. Ajo lëvron zhanrin e poezisë në dialektin gegë, por ajo është gjithashtu produktive në fushën e fotografisë, kryesisht në zhanrin e fotografisë urbane dhe të rrugës. Fotografitë e saj më së shumti janë shkrepur në rrugët e qytetit të saj të lindjes, Shkodër.
Rozafa Shpuza
(Shqipëri 1969-)
Rozafa Shpuza është njëherësh poete dhe fotografe, risi që krijon një ndërthlidhje unike midis dy arteve. Ajo lëvron zhanrin e poezisë në dialektin gegë, por ajo është gjithashtu produktive në fushën e fotografisë, kryesisht në zhanrin e fotografisë urbane dhe të rrugës. Fotografitë e saj më së shumti janë shkrepur në rrugët e qytetit të saj të lindjes, Shkodër. Subjektet e fotografuara janë momente urbane të shkëputura nga skenat e qytetit, të kapura në mënyre abstrakte, shpesh herë surreale, me nota humori dhe të kompozuara mirë. Galeria e dytë e fotografive, ndoshta ajo më kryesorja, janë portretet e banorëve të qytetit, të fotografuar në mënyrë spontane në rrugët dhe sheshet e tij, ndërsa kryejnë aktivitete apo meditojnë të heshtur në qetësinë e tyre, të kapur në befasi duke na krijuar një gjendje të veçantë emocionale. Çfarë mendojnë personazhet e rrugës, kalimtarët e heshtur, fotografuar të izoluar në mesin e kaosit urban? Duket sikur secili prej tyre është mbyllur në botën e brendshme, zhytur në mendimet dhe hallet personale. Në një shoqëri individualiste, ku secili mendon për vete, Rozafa kërkon natyrshëm të depërtojë tek individi dhe psikologjia e tij. Një galeri e tretë e fotografive, e cila mua më pëlqen shumë, është cikli i autoportreteve në rrugët e qytetit, të shkrepura në trotuare, vitrina dyqanesh apo kafene, të kapura në superpozime planesh të ndryshme, duke aluduar për një botë komplekse dhe të ngatërruar në të cilën gjendet artisti dhe individi në qytetin modern. Fotografitë e Rozafës, ndonëse janë të veçanta në skenën e fotografisë urbane shqiptare, ushqehen nga një traditë e pasur ndërkombëtare e fotografisë së rrugës, të krijuar dhe frymëzuar nga fotografia e Walker Evans, Garry Winogrand, William Klein, Diane Arbus, Vivian Mayer, dhe të tjerë.
Më poshtë mund të lexoni një përshkrim që Rozafa Shpuza i bën fotografisë së saj urbane, dhënë për TatiSpace. Si nisi proçesi krijues, cila është nxitja dhe inspirimi i saj?
Rozafa Shpuza: Fotografia është një dashuri imja e kahershme, që vazhdon të më frymëzojë dhe të jetë pjesë e rëndësishme e përditës sime. Kam shumë vjet që merrem me fotografi, herë më intensivisht e herë më qetësisht, dhe mund të pohoj pa frikë se fotografia ma ka zbukuruar jetën. Aparatin e parë fotografik e kam blerë në Danimarkë, kur shkova në një kurs specializimi në vitin 1994. Dinamika e atij vendi, arkitektura, njerëzit, mënyra e ndryshme e konceptimit të ambienteve publike më joshi që t’i fiksoj të gjitha këto në aparatin tim tepër modest. Qysh atëherë nuk jam ndalur më. Fotografoj në rrugë se e ndjej se personazhet që fiksoj janë të vërtetë dhe përcjellin mesazhin e jetës pa korniza. Fotografia e rrugës është pjesa më e rëndësishme e krijimtarisë sime artistike. Udhëtoj shumë se e ndjej se qytetet kanë shumë surpriza për aparatin tim fotografik. Albumi i fundit me fotografi të rrugës është ai që realizova në Shkodër në periudhën e izolimit të pandemisë Covid 19. Një qytet i zbrazët, personazhe të frikësuar që nguten, dritare e dyer të mbyllura, të gjitha këto ndjesi tashmë janë të fiksuara në albumin tim “Ditari i nji stine të mrrolun”. Kam marrë pjesë në shumë aktivitete kushtuar fotografisë, në ekspozita të përbashkëta dhe personale, brenda dhe jashtë vendit, me dëshirën e mirë për të njohur artistë fotografë dhe për të parë ku qëndron fotografia ime në krahasim me fotot e tyre. Para 3 vjetëve kam hapur në Shkodër një galeri arti, te shtëpia vjetër e prindërve, me dëshirën e mirë që të promovoj artistë nga e gjithë bota.
Momente Urbane
Portrete Kalimtarësh
Color Photography
Për më shumë rreth fotografisë së Rozafa Shpuzës, mund të klikoni në rrjetet e saj sociale, Facebook, Instagram dhe Galleria Oda.
"Big cities in my eyes" - photography Meti Spahiu
Meti Spahiu është një arkitekt i sapodiplomuar në Fakultetin Teknik të Vjenës (TU WIEN ), i cili ndjek pasionin e Fotografisë së Arkitekturës. Subjekti i fotografisë së tij janë ndërtesat e reja rezidenciale dhe komerciale në qytetin e Vjenës dhe qytete të tjera të Europës. Fotografitë e tij bardhë e zi shprehin vertikalitetin dhe horizontalitetin në arkitekturë, duke përforcuar anën estetike të objektit.
Në TATÌ SPACE po çelim një rubrikë të re të postimeve, mbi fotografët e rinj shqiptarë, emergjentë në fushën e Fotografisë së Arkitekturës. Meti Spahiu është një arkitekt i sapodiplomuar në Fakultetin Teknik të Vjenës (TU WIEN ), i cili ndjek pasionin e Fotografisë së Arkitekturës. Subjekti i fotografisë së tij janë ndërtesat e reja rezidenciale dhe komerciale në qytetin e Vjenës dhe qytete të tjera të Europës. I lindur në Kamenicë të Kosovës, ku jetoi deri në moshën 25 vjeçare, Meti u shpëngul për të studiuar dhe jetuar në Vjenë, Austri. Rrugëtimin e tij si arkitekt e shikon të lidhur ngushtë me fotografinë. Fotografitë e tij bardhë e zi shprehin vertikalitetin dhe horizontalitetin në arkitekturë, duke përforcuar anën estetike të objektit. Siç thotë ai, “ideja e fotografive të mia është që të sjell imazhe të bukura, që të tërheqin vëmendjen e publikut për estetikën e objekteve të fotografuara. Do të doja që njerëzit që kalojnë çdo ditë pranë një ndërtese në mënyrë të shpenguar, kur të shohin fotografinë të zbulojnë bukurinë e arkitekturës së saj . Për mua, fotografia është një fushë që nuk do më zhgënjejë kurrë, dhe që do eci paralelisht me profesionin e arkitektit”.