"Big cities in my eyes" - photography Meti Spahiu
Tatì Space
Në TATÌ SPACE po çelim një rubrikë të re të postimeve, mbi fotografët e rinj shqiptarë, emergjentë në fushën e Fotografisë së Arkitekturës. Meti Spahiu është një arkitekt i sapodiplomuar në Fakultetin Teknik të Vjenës (TU WIEN ), i cili ndjek pasionin e Fotografisë së Arkitekturës. Subjekti i fotografisë së tij janë ndërtesat e reja rezidenciale dhe komerciale në qytetin e Vjenës dhe qytete të tjera të Europës. I lindur në Kamenicë të Kosovës, ku jetoi deri në moshën 25 vjeçare, Meti u shpëngul për të studiuar dhe jetuar në Vjenë, Austri. Rrugëtimin e tij si arkitekt e shikon të lidhur ngushtë me fotografinë. Fotografitë e tij bardhë e zi shprehin vertikalitetin dhe horizontalitetin në arkitekturë, duke përforcuar anën estetike të objektit. Siç thotë ai, “ideja e fotografive të mia është që të sjell imazhe të bukura, që të tërheqin vëmendjen e publikut për estetikën e objekteve të fotografuara. Do të doja që njerëzit që kalojnë çdo ditë pranë një ndërtese në mënyrë të shpenguar, kur të shohin fotografinë të zbulojnë bukurinë e arkitekturës së saj . Për mua, fotografia është një fushë që nuk do më zhgënjejë kurrë, dhe që do eci paralelisht me profesionin e arkitektit”.