Grate ne Fotografi
Në kuadrin e Ekspozitës Fotografike të lançur në Tatì Space me temën “Qyteti i Grave”, po sjellim në vëmendje disa figura inspiruese të grave fotografe, të cilat kanë dhënë një kontribut të çmuar në fushën e fotografisë, me profesionalizimin dhe qasjen humane ndaj qytetit dhe kohës në të cilën ato jetuan. Julia Margaret Cameron, Frances Benjamin Johnston, Berenice Abbott, Dorothea Lange, Margaret Bourke-White, Vivian Maier, Diane Arbus, Cindy Sherman dhe Annie Leibovitz.
Në kuadrin e Ekspozitës Fotografike të lançur në Tatì Space me temën “Qyteti i Grave”, po sjellim në vëmendje disa figura inspiruese të grave fotografe, të cilat kanë dhënë një kontribut të çmuar në fushën e fotografisë, me profesionalizimin dhe qasjen humane ndaj qytetit dhe kohës në të cilën ato jetuan. Duke filluar me Julia Margaret Cameron, si një ndër pionieret e fotografisë botërore, Frances Benjamin Johnston si fotoreporterjen e parë grua, Berenice Abbott me pasqyrimin e modernitetit që po lindte, Dorothea Lange e Margaret Bourke-White si dokumentueset e para të ngjarjeve të mëdha historike, dhe për të vazhduar me qytetin modern me Vivian Maier, Diane Arbus, deri në ditët e sotme me Cindy Sherman dhe Annie Leibovitz. Lista është akoma më e gjatë, por ne kemi zgjedhur këto figura si përfaqësuese të epokave të ndryshme të fotografisë.
Julia Margaret Cameron (1815-1879)
Është një fotografe britanike e shekullit të 19-të, e cila e filloi fotografinë vonë, në moshën 48 vjeçare, atëherë kur vajza e saj i dhuron një aparat për ditëlindje. Ajo njihet për portretet e personazheve të njohur të kohës, miqve të saj, dhe për fotografimin e temave heroike, mitologjike dhe nga letërsia, ku si personazhe vendos njerëzit e afërm që i vizitonin studion. Ajo njihet për fotografimin e fëmijëve dhe grave, si dhe për një çfokusimin dhe planet e afërta të portreteve, e cila pati impakt në fotografinë moderne.
Frances Benjamin Johnston (1864-1952)
Është një ndër fotoreporteret e para në Amerikë. Ajo ka qënë një avokate e rolit të grave në fotografi, me shkrimin “Çfarë mund të bëjë një grua me kamera” në 1897, dhe bashkë-kuratore e një ekspozite fotografike në Ekspozitën Universale 1900. Frances njihet për portretet, fotografinë e arkitekturës tradicionale, dhe për serinë në Institutin Hampton. Në 1899 asaj iu kerkua të fotografonte jetën e përditshme të studentëve në Institutin Hampton, i cili pas Luftës Civile ofronte kurse profesionale për të rinjtë Afro Amerikanë dhe Nativë Amerikanë. Duke qënë se përdori negativa prej pllaka platinuimi, të cilat kërkonin disa sekonda ekspozim, ishte e pamundur fotografimi spontan i të rinjve. Në këtë mënyrë ajo i drejtoi subjektet në skena të kompozuara me kujdes, të cilat flasin për stilin unikal të Benjamin, të dallueshëm deri në ditët e sotme.
Berenice Abbott (ShBA 1898-1991)
Berenice Abbott është një fotografe amerikane e njohur për dokumentimin e arkitekturës dhe jetës metropolitane të New Yorkut me të gjitha kontrastet e tij, në vitet 1930 të depresionit te madh. Berenice Abbott njihet për stilin dokumentues, jashtë cdo subjektivizmi dhe piktorializmi. Ajo fotografoi me kamera 8x10” vendet kryesore të New Yorkut me arkitekturën e re që po lindte, por edhe vendet që po zhdukeshin nga zhvillimi. Influenca e saj kryesore ishte fotografi francez Eugene Atget, i cili në mënyrë skrupuloze fotografonte Parisin e vjetër, që po zhdukej nga moderniteti i fillimit të shekullit 20. Abbott e quante Atget ‘Balzakun e kameras’ dhe një ‘historian urbanist’. Asaj i njihet merita e shpëtimit të arkivës së Atget, kur pas vdekjes së tij bleu të gjithë negativët dhe i çoi në Amerikë, ku punoi për publikimin veprës së tij. Në vitet e fundit të karrierës Berenice Abbott u mor me anën teknike dhe shkencore të fotografisë.
Një ndër shprehjet e saj është “Bota nuk i don gratë e pavarura, nuk e di pse, por kjo nuk më shqetëson aspak”.
Dorothea Lange (1895-1965)
Është një fotografe amerikane e cila dokumentoi në mënyrë realiste jetën e vështirë të amerikanëve në periudhën e Depresionit të Madh të viteve ’30-të. Me fotografinë e saj humanitare ajo ndikoi në alokimin e fondeve federale për shtresat e varfëra, por edhe në zhvillimin e zhanrit të fotografisë dokumentuese. Një ndër fotografitë e saj ikonë është “Nëna Migrante” ku ajo fotografoi një familje të varfër në kushtet e ekzistencës. Lange kishte aftësi të fotografonte anën e bukur dhe dinjitoze të njerëzve. Një ndër shprehjet e saj është “Aparati Fotografik është një Mjet për të Mësuar sesi të Shikojmë…” Ajo e përdori kameran si një instrument demokratik. Ndonëse Lange kishte një vështirësi fizike në lëvizje, për shkak të një sëmundje të kaluar në fëmijëri, ajo njihet si një femër luftarake, në një kohë kur kjo cilësi nuk u pranohej grave. Ajo udhëtoi shumë, duke fotografuar shtresat e ulta të papërfaqësuara të popullsisë; fermerë, punëtorë, hebrenj, zezakë, të varfër, emigrantë të kombësive të ndryshme, duke ofruar në këtë mënyrë një vizion demokratik të Amerikës, në një kohë kur vendi kishte shumë nevojë për këtë.
Margaret Bourke-White (1904-1971)
Është fotografja e parë amerikane e reportazhit të luftës dhe një ndër fotoreporteret më të rëndësishme në Amerikën e viteve ‘30 dhe ‘40. Fotografitë e saj të para janë ato industriale të makinerive, ndërtesave, njerëzve, por më pas ajo u fokusua në çështjet sociale, në zonat me varfëri të skajshme gjatë viteve të Depresionit, ku fotografoi për revistën Fortune dhe më pas për Life. Bourke-White ishte fotografja e parë e huaj e cila u lejua të fotografonte në Bashkimin Sovjektik gjatë viteve ‘30, që e bëri atë nje ndër fotografet më të famshme në Amerikë. Ajo u lejua nga Trupat Ushtarake për të fotografuar Luftën e Dytë Botërore, gjatë së cilës fotografoi ngjarjet më të rëndesishme si bombardimin e Moskës nga trupat gjermane në 1941, krimet e luftës, kampet e përqëndrimit pas kapitullimit nazist. Pas luftës së dyte botërore, dokumentoi ngjarjet historike më të rëndesishme, si përpjekjet e Ghandit për pavarësinë e Indisë, Luftën e Koresë, trazirat në Afrikën e Jugut, etj.
Vivian Maier (1926-2009)
Vivian Maier ka një ndër historitë më interesante në historin ë e fotografisë. Ajo ka fotografuar jetën urbane dhe njerëzit e rrugës në amerikën e viteve ’50, ‘60, me intensitet të fortë, kuriozitet dhe me një shpirt humori, por ajo asnjëherë nuk i publikoi fotot e saj. Ajo ishte një njeri mjaft i rezervuar, ndonëse e shkolluar dhe me kulturë, ajo fotografonte për hobi ndërsa kryente detyrën e saj si dado e fëmijëve. Ashtu siç shprehen më vonë femijët që ajo rriti, ata asnjëhere nuk e kuptuan se çfarë fotografonte Maier. Kur e pyesnin ajo përgjigjej duke qeshur se ishte një spiune. Ndërkohë që Maier i shëtiste fëmijët në çdo cep të qytetit, ajo shkrepi foto mjaft interesante, që përbëjnë sot një trashigimi vizuale të asaj kohe. Fotografia e saj u bë e njohur pas vdekjes së saj, falë një koleksionisti arti, John Maloof, i cili në vitin 2009 bleu 150,000 negativat që ajo shkrepi gjatë jetës së saj dhe ja bëri të njohur publikut nëpërmjet botimit të librave, ekspozitave dhe filmave dokumentarë.
Diane Arbus (1923-1971)
Është një fotografe amerikane e njohur për stilin e saj kontrovers, të kritikuar dhe të vlerësuar në të njëjtën kohë. Ajo fotografoi banorët e New Yorkut në vitet 50-60, njerëzit në park, femijët, gratë, njerëzit me aftësi ndryshe, ata që jetojnë në skajet e shoqerisë, performuesit e cirkut, transgjinorët, njerëzit ndryshe, ata që siç thotë një kritike arti ‘na tërheqin vëmendjen kur i shohim në rrugë, por instiktivisht e heqim vështrimin sepse na vjen turp nga ajo që shohim’. Ndërsa Arbus, përkundrazi, i vëzhgon, i studion dhe i fotografon në mënyrë psikologjike, ashtu siç asnjë fotograf tjetër kishte bërë më parë. Ndërsa fotografët e rrugës të brezit të saj si; Evans, Winogrand, Lewitt etj, ndoqën një stil guerilas, duke fotografuar njerëzit ndërsa ata nuk e kishin mendjen, dhe pa u dalluar prej tyre, përkundrazi Diane kërkon miratimin personave që fotografon. Shpesh herë ajo i kthehet 2 herë një subjekti, mban shënime, bisedon, lidh miqësi, u shkon në shtëpi, dhe pret castin e duhur për të shkrepur fotografinë. Për këtë arsye subjektet e saj shikojnë drejt e në sy, duke qenë të vetëdijshëm për prezencën e artistit, dhe duke përfshirë shikuesin gjithashtu. Me stilin e saj, ajo la gjurmë në fotografinë moderne duke u ndjekur nga shumë fotografë të mëvonshëm. Përderisa fotografia e Arbus lidhet me identitetin, voyeurism, personat ndryshe, në një shoqëri homofobe të viteve ‘50-‘60, jo gjithmonë u pëlqye nga publiku dhe kritika e kohës. Në një citim (Norman Mailer) thotë ‘ti japësh një kamera Diane Arbusit, është si ti japësh një fëmije një granatë dore’. Gjatë ekspozitës ‘New Documents’ në Muzeun e Artit Modern në 1967, ku Arbus u paraqit së bashku me Garry Winogrand dhe Lee Friedlander, fotografia e saj u pështy nga disa vizitorë, aq sa duhej të pastrohej çdo ditë. Ndërsa Susan Sontag, një ndër kritiket më të njohura të kohës, thotë se Diane Arbusit i mungon dhëmbshuria për subjektet e saj. Shumë veta kanë spekuluar për motivet që e shtynë Diane të fotografonte në këtë mënyrë. Por nga dorëshkrimet e saj, të cilat u bënë të njohura pas vdekjes së saj në 1971, del e kundërta. Ajo gjeti emocione, dhe pa veten të pasqyruar tek njerëzit ndryshe. Diane Arbus vinte nga klasa e pasur dhe borgjeze e shoqerisë New Yorkeze. Ajo kishte frekuentuar me rezultate të larta shkollat më të mira të vendit. Megjithatë ajo e shpërfilli origjinën e saj klasore. Këtë ndjenjë mospërkatësie dhe izolimi duket sikur kërkon tek subjektet që fotografon. Ajo mësoi fotografinë nëpërmjet Fotografisë së Modës, në studion që hapi me të shoqin. Ne 1956 në moshën 33 vjeçare ajo u shkëput prej saj, duke ndjekur vokacionin e fotografisë dokumentuese, të cilën e zhvilloi me stilin e saj personal. Një ndër shprehjet e saj është: ‘Për mua, subjekti i fotografisë është gjithmonë më i rëndësishëm sesa fotografia’; ‘Njerëzit jonormal, kanë lindur me traumën e tyre. Ata kanë kaluar testin e jetës. Ata janë aristokrat’; ‘Aktiviteti im i preferuar është të shkoj në vendet ku nuk kam qënë ndonjëherë”.
Cindy Sherman (1954)
Është një artiste amerikane e cila përdor fotografinë për të zhvilluar disa seri autoportretesh që lidhen me stereotipet e grave në kulturën perëndimore, të krijuara nga kinematografia, televizioni, reklama. Seria e parë me të cilën ajo e bë e famshme është “Film Stills” ose “Skena Filmi” në vitet ‘70-‘80, ku paraqitet e veshur si personazhe e filmave, në skena të ngjashme nga kinematografia evropiane e viteve ‘50-‘60 dhe ajo amerikane e zhanrit noir. Në këto fotografi ajo paraqitet herë si shtëpiake, herë si sekretare, herë si grua provokative, herë tjetër si një grua në kariere dhe e pavarur. Në fotografitë bardhë e zi të ciklit, ajo ndërton një katalog personazhesh, apo enciklopedi të stereotipeve të grave në kinematografinë dhe publicitetin e kohës. Ndonëse “skenat filmike” të Sherman ngjajnë me fotografitë e publicitetit të filmave (prej të cilave ka marrë emrin cikli), asnjëra prej tyre nuk i referohet një filmi konkret. Mjeshtria e Sherman qëndron se ajo luan me stereotipet e femrave, dhe me pritshmëritë apo imagjinatën tonë, që është influencuar nga këto stereotipe. Në vitet e mëvonshme, Cindy Sherman do të zhvillojë cikle të tjera fotografike që lidhen me stereotipet e bukurisë në kulturën perëndimore, dhe me ato që vijnë nga historia e artit, duke zhvilluar akoma më shumë ndriçimin, kostumografinë dhe grimin.
Annie Leibovitz (1949)
Annie Leibovitz është një fotografe amerikane e njohur për fotografimin e celebriteteve të kohës sonë, në revistat “Rolling Stone” dhe “Vanity Fair”. Por pak e dinë se në fillimet e saj ajo nisi karierën me fotografinë dokumentuese. Një perspektivë të tillë ajo mban edhe në fotografimin e konstruksionit të Ndërtesës së re të “New York Times” projektuar nga Renzo Piano. Midis viteve 2005 dhe 2006, Kompania zhvilluese Forest City Ratner porositi Annie Leibovitz të fotografonte ndërtimin e grataçelës, e cila u konkludua në ciklin fotografik “Building the Times”. E njohur për fotografimin e portreteve, edhe këtu Annie Leibovitz merr parasysh vektorin njeri. Fotografitë e “Building the Times” tregojnë se megjithë përmirësimet e teknologjisë, ndërtimi i grataçelave është akoma i varuar nga puna intensive e punëtorëve të ndërtimit dhe aftësitë e tyre individuale dhe në grup. Cikli është një homazh për qytetin e New Yorkut, dhe të kujton fotografitë e Margaret Bourke White të ndërtesave kryesore të tij. Për këtë cikël Annie shprehet “Pjesa më interesante e këtij projekti është fakti se mësova që këto ndërtesa akoma bashkohen me dorë. Të shikoje punëtorët e ndërtimit të rrëshqisnin midis kollonave të celikut dhe të montonin në lartësi trarët e rëndë, ishte një mrekulli”.
"Journey beyond the horizon" - photography Meti Spahiu
Në rubrikën ‘Fotografët Shqiptar Emergjent’ në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës, sjellim fotografin e ri kosovar Meti Spahiu. Meti është diplomuar si arkitekt në Fakultetin Teknik të Vienës TU WIEN dhe prej disa vitesh jeton dhe punon në Vjenë.
Në rubrikën ‘Fotografët Shqiptar Emergjent’ në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës, sjellim fotografin e ri kosovar Meti Spahiu. Meti është diplomuar si arkitekt në Fakultetin Teknik të Vienës TU WIEN dhe prej disa vitesh jeton dhe punon në Vjenë. Ai prezantohet për herën e dytë në TatìSpace, pas shfaqjes të tij të parë me Serinë Fotografike bardhë e zi “Big Cities in my Eyes”. Kësaj rradhe, fotografitë e tij janë së shumti me ngjyra, por nuk mungojne edhe ato bardhë e zi. Motivi mbetet i njëjtë- subjekti i tij i preferuar; Fotografia e Arkitekturës e qyteteve të Europës, shkrepur gjatë udhëtimeve të tij. Secila prej fotografive sjell kujtime personale nga qytetet si Insbruk dhe Zyrih. Fotografitë e tjera janë bërë në Vjenë, Munih, Bratisllav. Autori e titullon Serinë “Journey beyond the Horizon” (dedikuar A.Sh). Ashtu siç thotë edhe vet më parë, “ideja e fotografive të mia është që të sjell imazhe të bukura, që tërheqin vëmendjen e publikut për estetikën e objekteve të fotografuara. Do të doja që njerëzit që kalojnë çdo ditë pranë një ndërtese në mënyrë të shpenguar, kur shohin fotografinë të zbulojnë bukurinë e arkitekturës së saj. Për mua, fotografia është një fushë që nuk do më zhgënjejë, dhe që do eci paralelisht me profesionin e arkitektit”.
Candida Höfer
Candida Höfer është një fotografe gjermane, e njohur si një ndër figurat më të njohura të fotografisë kontemporane të arkitekturës. Subjektet e saj janë interieret e institucioneve të rëndësishme publike në mungesë të prezencës humane; muzeume pa vizitorë, bibloteka pa lexues, salla koncertesh dhe kisha të boshatisura.
Candida Höfer
(Gjermani 1944-)
Candida Höfer është një fotografe gjermane, e njohur si një ndër figurat më të njohura të fotografisë kontemporane të arkitekturës. Subjektet e saj janë interieret e institucioneve më të rëndësishme publike në mungesë të prezencës humane; muzeume pa vizitorë, bibloteka pa lexues, salla koncertesh dhe kisha të boshatisura. Fotografia e saj në format të madh, me ngjyra dhe dritë, sygjeron anën psikologjike dhe sociale të këtyre hapësirave. Ajo preferon simetrinë frontale, kapur nga një perspektivë e lartë, dhe detaje skrupuloze. Për veten e saj shprehet: “Unë dua të fotografoj sesi njerëzit sillen në ndërtesat publike, dhe sesi këto hapësira veprojnë tek njerëzit- për mua kjo është e dukshme kur nuk ka vizitorë, ashtu si një mik i ftuar bëhet tema e bisedës kur ai nuk është i pranishëm”. Ndonëse Höfer fotografon arkitekturën e ndërtesave publike, ajo shprehet se fotografon portretet e këtyre hapësirave.
Candida Höfer është një fotografe gjermane e cila i përket Shkollës së Artit të Dusseldorfit. Së bashku me Struth, Gursky, Ruff, ajo ka studiuar nën drejtimin e çiftit Becher, ku u veçua për fotografinë me ngjyra në format të madh. Punët e saj janë shfaqur në shumë muzeume. Në 2003 ajo përfaqësoi Gjermaninë në Bienalen e Venecias.
Libra të përzgjedhur të Candida Höfer
"Big cities in my eyes" - photography Meti Spahiu
Meti Spahiu është një arkitekt i sapodiplomuar në Fakultetin Teknik të Vjenës (TU WIEN ), i cili ndjek pasionin e Fotografisë së Arkitekturës. Subjekti i fotografisë së tij janë ndërtesat e reja rezidenciale dhe komerciale në qytetin e Vjenës dhe qytete të tjera të Europës. Fotografitë e tij bardhë e zi shprehin vertikalitetin dhe horizontalitetin në arkitekturë, duke përforcuar anën estetike të objektit.
Në TATÌ SPACE po çelim një rubrikë të re të postimeve, mbi fotografët e rinj shqiptarë, emergjentë në fushën e Fotografisë së Arkitekturës. Meti Spahiu është një arkitekt i sapodiplomuar në Fakultetin Teknik të Vjenës (TU WIEN ), i cili ndjek pasionin e Fotografisë së Arkitekturës. Subjekti i fotografisë së tij janë ndërtesat e reja rezidenciale dhe komerciale në qytetin e Vjenës dhe qytete të tjera të Europës. I lindur në Kamenicë të Kosovës, ku jetoi deri në moshën 25 vjeçare, Meti u shpëngul për të studiuar dhe jetuar në Vjenë, Austri. Rrugëtimin e tij si arkitekt e shikon të lidhur ngushtë me fotografinë. Fotografitë e tij bardhë e zi shprehin vertikalitetin dhe horizontalitetin në arkitekturë, duke përforcuar anën estetike të objektit. Siç thotë ai, “ideja e fotografive të mia është që të sjell imazhe të bukura, që të tërheqin vëmendjen e publikut për estetikën e objekteve të fotografuara. Do të doja që njerëzit që kalojnë çdo ditë pranë një ndërtese në mënyrë të shpenguar, kur të shohin fotografinë të zbulojnë bukurinë e arkitekturës së saj . Për mua, fotografia është një fushë që nuk do më zhgënjejë kurrë, dhe që do eci paralelisht me profesionin e arkitektit”.
Henri Cartier-Bresson
Henri Cartier-Bresson është një fotograf francez, një ndër figurat më me influencë të shekullit të 20-të. Ai konsiderohet si pioner i fotografisë spontane të rrugës (candid street photography), babai i fotoreportazhit modern, i cili solli një estetikë dhe praktikë të re, duke bërë që fotografia e reportazhit të pranohej si një formë arti. Emri i tij asociohet me aparatin e dorës Leica 35mm dhe me konceptin e “momentit deçiziv”.
Henri Cartier-Bresson
(Francë 1908-2003)
Henri Cartier-Bresson është një fotograf francez, një ndër figurat më me influencë të shekullit të 20-të. Ai konsiderohet si pioner i fotografisë spontane të rrugës (candid street photography), babai i fotoreportazhit modern, i cili solli një estetikë dhe praktikë të re, duke bërë që fotografia e reportazhit të pranohej si një formë arti. Emri i tij asociohet me aparatin e dorës Leica 35mm dhe me konceptin e “momentit deçiziv”. Në ditët e sotme ku jemi të rrethuar nga një oqean imazhesh fotografike, shkrepim dhe shkarkojmë në mënyrë dixhitale me mijëra fotografi në rrjetet sociale, trashëgimia e Henri Cartier-Bresson jo vetëm nuk është vjetëruar, por përkundrazi ajo na mëson mjaft gjëra mbi teknikën dhe etikën e fotografisë. Henri Cartier-Bresson konsiderohej një artist i përgjegjshëm për profesionin dhe shoqërinë ku jetonte.
Ai është artisti avant-garde, i riu rebel, gjuetari i kafshëve të egra në Afrikë, ish i burgosur i luftës në kampet naziste, fotoreporteri i ngjarjeve kryesore të pas Luftës së Dytë Botërore, bashkëthemelues i agjensisë fotografike Magnum, një figurë e cila revolucionarizoi imazhin fotografik. E megjithatë ai qëndroi deri në fund një figurë mjaft e thjeshtë, që preferonte të mos shfaqej dhe të mos jepte intervista. Ai ishte personi që qëndronte në heshtje në pritje të momentit perfekt për të fotografuar, i cili zgjidhte me kujdes shkrepjen, dhe që preferonte të njihte në avancë ngjarjet dhe njerëzit që do të fotografonte. Në trazirat studentore të vitit 1968 në Paris, me gjithë ngjarjet e vrullshme, dëshmitarët tregojnë se Bresson shkrepi me një ritëm 4 foto në orë. Siç thotë ai vetë: ‘Mua nuk më intereson fotografia, por më interesojnë njerëzit’. Për afro gjysmë shekulli ai fotografoi ngjarjet kryesore të shekullit 20-të si Luftën e Spanjës, fundin e Luftës së Dytë Botërore, Gandin pak minuta para se të vritej në 1948, ditët e para të regjimit komunist në Kinë në 1949, Indonezinë e sapodalë nga kolonializmi. Ai ishte fotografi i parë perëndimor i cili u lejua të fotografonte në Bashkimin Sovietik gjatë Luftës së Ftohtë. Merita e Breson është se krijoi imazhe të bukura dhe poetike, që portretizojnë rëndësinë e vendit dhe të kohës. Ashtu siç shprehet: “Qëllimi im ishte të shprehja esencën e një fenomeni në një imazh të vetëm”, që shpreh idenë e tij mbi “momentit deçiziv” që e shoqëroi gjithë jetën.
Fillimet në Fotografi
Henri Cartier-Bresson e filloi fotografinë në 1931, atëherë kur bleu kameran e sapodalë Leica me film 35 mm, të cilës nuk iu nda për afro gjysëm shekulli. Ai i përket brezit të fotografëve të parë evropianë të cilët eksploruan në maksimum potencialin krijues të kameras së vogël të dorës. Për Bresson – “Fotografia për mua është një skicë e shpejtë, dhe sekreti është të harrosh që mban një kamera”. Dëshira e tij fillestare ishte të bëhej piktor, (pasi kishte refuzuar kërkesën e familjes për të vazhduar traditën e biznesit familjar të tekstileve). Influencat kryesore në formimin e tij vizual, të cilat u shprehën në fotografinë e tij të mëvonshme, ishin gjeometria formale e pikturës së Rilindjes dhe serendipiti i Surrealizimit, së bashku me një shpirt të fortë aventure. I influencuar nga shkolla e piktorit kubist Lohte, Henri zhvilloi një interes për pikturën klasike me proporcione rigoroze matematikore. Më vonë ai do të thoshte se cdo gjë që dinte për fotografinë, e kishte mësuar nga Lohte. Për Bressonin, kërkimi i rregullit gjeometrik në kompozimin në viewfinder, ishte një ndër kriteret kryesore që ai zgjidhte gjatë proçesit fotografik. Ai asnjëherë nuk i priste fotot por insistonte që ato të shfaqeshin ashtu siç i kishte shkrepur, duke paraqitur madje edhe kornizën e zezë të zhvillimit të negativit. "You shoot properly while it's there", duke përforcuar kështu idenë se fotoja duhet shkrepur siç duhet që në momentin e kompozimit të saj në viewfinder. Në këtë mënyrë Henri Cartier-Bresson ndihmoi në kredibilitetin e fotoreportazhit, të pacënuar nga editimi.
Influenca e dytë në fotografinë e Bresson vjen nga një rrymë më pak racionale siç është Surrealizimi, me të cilën ai ra në kontakt në rini gjatë takimeve me figurat kryesore në “Cafe de la Place Blanche” në Paris. Prej Surrealizimit ai përvetësoi filozofinë e spontanes, shansit dhe intuitës. “"Për mua kamera është një bllok skicash, një instrument i intuitës dhe spontanitetit, mjeshtër i çastit, i cili në terma vizual, pyet dhe vendos njëkohësisht". Për Henri Cartier-Bresson, kamera Leica 35mm ishte instrumenti më i përshtatshëm për të shprehur krijimtarinë e tij artistike. Ndonëse Bresson ishte në kërkim të spontanes, kompozimet e tij nuk janë produkt i serendipitit, por ai e zgjidhte me kujdes skenën dhe priste derisa të gjithë elementet e duhur të shfaqeshin në viewfinder, për të fiksuar në film momentin e deçiziv.
Fotot e tij ndonëse pasqyrojnë një ngjarje apo moment historik, ato janë entitete të pavarura artistike. Duke kërkuar të bukurën në gjërat e zakonshme, ai lidhi artin me fotojurnalizmin. Fotografitë e tij të para i përkasin periudhës 1932-1935 gjatë udhëtimeve të tij në Itali, Spanjë, Marok, Meksikë, të cilat u paraqitën në disa ekspozita fotografike. Fotografitë e kësaj periudhe konsiderohen si më të mirat e Bresson dhe të historisë së fotografisë moderne të inspiruara nga Surrealizmi.
Bresson në kinematografi
Gjatë qëndrimit në New York në 1935, Bresson njohu Paul Strand i cili e nxiti të merrej me kinematografi. Midis viteve 1936-1939 ai punoi si asistent i regjizorit francez Jean Renoir në prodhimin e filmit Une Partie de Campagne (A Day in the Country) dhe La Règle du Jeu (The Rules of the Game). Në 1937 Bresson prodhoi filmin e parë dokumentar mbi ndihmën mjekësore në Luftën e Spanjës të titulluar Return to Life. Ndonëse Breson nuk i përkiste asnjë partie politike, orientimi i tij antifashist e çoi të punonte për gazetën e majtë Ce Soir ku njohu fotoreporterë të tjerë me të njëjtat interesa, si Robert Capa dhe David “Chim” Seymour, me të cilët pas Luftës krijoi agjensinëMagnum. Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore në 1939, Bresson iu bashkua njësisë së ushtrisë për film dhe fotografi. Në 1940 ai u kap nga gjermanët dhe u burgos në kampet e punës së detyruar. Pas dy tentativave të pasuksesshme arratisje, ai arriti të shpëtojë herën e tretë, pas së cilës kohë punoi në ilegalitet. Pas Luftës, Bresson iu kthye kinemtografisë me drejtimin e filmit La Retour, mbi rikthimin e personave të zhvendosur nga lufta. Bresson i rikthehet përsëri kinematografisë në fund të viteve ’60 me Impressions of California (1969) dhe Southern Exposures (1971). Ashtu siç thotë vetë, Bresson iu largua bërjes së filmit pasi nuk e tërhiqte drejtimi i aktorëve dhe mungesa e spontanitetit. Por nga kinematografia mësoi narrativën dhe çastin ekspresiv. Bressonit i njihet merita se ndikoi në zhvillimin e zhanrit cinema verite.
Bresson në Magnum
Pas ekspozitës së Bresson në MOMA New York në 1946 dhe udhëtimit të tij në Amerikë i cili konkludohet me një libër fotografik, Bresson ndërmerr të kryejë me kohë të plotë profesionin e fotoreporterit duke ndjekur këshillën e Robert Capas, i cili kishte kuptuar rëndësinë e këtij profesioni në shoqërinë e pas-Luftës. Së bashku me Robert Capa, David Seymour, George Rodger themeluan në vitin 1947 agjensinë e parë fotografike kooperative Magnum. Organizata i ofronte gazetave dhe revistave të kohës, mbulimin me fotografi të ngjarjeve kryesore nga fotoreporterët me të talentuar, duke ruajtur autorsinë dhe lirinë e tyre të zgjedhjes. Nën kupolën e Magnum Bresson veshi petkun e fotoreporterit dhe fotografoi ngjarjet kryesore në Indi, Kinë, Indonezi, Egjipt. Këto fotografi u botuan në formën e disa librave midis viteve 1952 dhe 1956. Më i njohuri prej tyre është ai i botuar në vitin 1952 me titullin “Images à la sauvette”, i perkthyer ne anglisht “The decisive moment”, i cili i referohet idesë kryesore të Bresson mbi fotografinë- "ai çast kur, me një qartësi të madhe, pamja e subjektit zbulon në thelbin e saj domethënien e ngjarjes, pjesë e së cilës është, organizimi më domethënës i formave"
Midis viteve 1963-1965 Bresson fotografon në Kuba, Meksikë, Indi. Librat e mëvonshëm të tij janë France (1971), The Face of Asia ( 1972), About Russia (1974). Me shpirtin e tij nomad ai u bë dëshmitar i ngjarjeve kryesore të pas Luftës së dytë botërore, të kalimit të pushteteve. Ai fotografoi njerëzit e thjeshtë me po atë rëndësi që fotografoi njerëzit e famshëm të artit dhe politikës.
Në fillim të viteve ‘70, Bresson shkëputet plotësisht nga fotografia dhe i përkushtohet pikturës. Në vitin 2003, Bresson së bashku me bashkëshorten Martin Franck, fotografe e agjensisë Magnum, dhe vajzen e tyre, themelojnë Fondin Henri Cartier-Bresson. Negativët e Bresson janë në pronësi të Fondacionit dhe të agjensisë Magnum. Ai la një trashigimi prej afro gjysëm millioni negativa, të shkrepur gjatë një periudhe rreth 70 vjeçare.
Magnum Agency
https://www.magnumphotos.com/photographer/henri-cartier-bresson/
Fondacioni Henri Cartier-Bresson
Libra të përzgjedhur nga Henri Cartier-Bresson
Gabriele Basilico
Gabriele Basilico është një fotograf italian, i njohur për fotografitë e peisazhit urban. Ai është një ndër figurat më të njohura të fotografisë kontemporane evropiane dhe ndërkombëtare. I diplomuar si Arkitekt në Universitetin Politeknik të Milanos në 1973, ai ja kushtoi karrierën e tij fotografimit të peisazheve urbane dhe metropoleve që transformohen nga një shoqëri industriale në post-industriale.
Gabriele Basilico
(Milano 1944-2013)
Gabriele Basilico është një fotograf italian, i njohur për fotografitë e peisazhit urban. Ai është një ndër figurat më të njohura të fotografisë kontemporane evropiane dhe ndërkombëtare. I diplomuar si Arkitekt në Universitetin Politeknik të Milanos në 1973, ai ja kushtoi karrierën e tij fotografimit të peisazheve urbane dhe metropoleve që transformohen nga një shoqëri industriale në post-industriale.
Dokumentimi i ndryshimeve urbane ishte objektivi kryesor i tij. Në librin autobiografik “Arkitektura, Qytete, Vizione: reflektime mbi fotografinë” ai shprehet “i kisha dhënë vetes një mision, të dëshmoja sesi modifikohet hapësira urbane… Ndonëse qytetet ngjajnë midis tyre, ato ndryshojnë nga ana sociale, historike, gjeografia, klima. Në ditët e sotme, kur qytetet po rriten me një ritëm të pa parë në histori, hapësira urbane paraqitet si një metaforë e shoqërisë ku jetojmë, e cila meriton të vëzhgohet me shumë kujdes”.
Mbi temën e transformimit, formës dhe identitetit të qyteteve, Gabriele Basilico përgjatë karrierës së tij 40 vjeçare, ka botuar mbi 100 libra fotografik. Qytetet kryesore që ka dokumentuar në mënyrë sistematike janë Milano, Roma, Bari, Barcelona, Berlin, Madrid, Lisbona, Napoli, Hamburg, Beirut, Genova, Stamboll, Moskë, Paris, Shangai, San Francisko, Rio de Janero, etj. Projekti i tij i parë është “Milano-Portrete Fabrikash” në vitin 1978-1980, i cili prezantohet në vitin 1983 në PAC Milano (Pavjoni i Artit Kontemporan). Projekti i parë ndërkombëtar vjen në vitin 1984 kur së bashku me fotografë të tjerë angazhohet nga qeveria franceze në Misionin DATAR për të dokumentuar transformimin e peisazhit kontemporan. Prej këndej botohet libri “Bord de Mer”. Tema e porteve dhe e detit e shoqëron më tej, si në fotografimin e qytetit të Genovas që konkludohet në librin “Porti di Mare”(1990).
Në 1991 merr pjesë në projektin që i jep famë ndërkombëtare, fotografimin e Beirutit të shkatërruar nga lufta civile 15 vjeçare, së bashku me fotografë të tjerë si Rene Burri, Robert Frank, Jodeph Koudelka, Raymond Depardon dhe Fouad Elkoury. Në vitin 1996 merr pjesë në Bienalen e Venecias me ekspozitën Seksione të Peisazhit Italian /Cross Sections of a Country, ku merr çmimin Osella d’Oro për Fotografinë e Arkitekturës Kontemporane. Në 1999 boton librin “Interrupted City”dhe “Cityscapes” me mbi 300 fotografi urbane të kryera që nga fillimi i viteve ‘80. Në vitin 2000 fotografon zonën metropolitane të Berlinit, që konkludohet me librin “Berlin”, i cili fiton çmimin libri fotografik më i mirë i vitit 2003. Në vitin 2007, i ftuar nga SFMoma (San Francisco Museum of Modern Art) zhvillon një projekt fotografik në zonën metropolitane të Sillicon Valley, që publikohet në librin “Gabriele Basilico-Sillicon Valley”. Një tjetër projekt i këtij viti është “Moska Vertikale”, e fotografuar nga kullat e periudhës staliniste. Në vitet në vazhdim 2010-2012 puna e tij do të shtrihet në metropole të tjera botërore; Stamboll, Shangai, Rio de Janero. Projekti i fundit është në Milano, për dokumentimin e ndërtimit të projektit Porta Nuova.
Gabriele Basilico dallohet për stilin e tij monumental dhe të heshtur, mungesën e njeriut në imazh, kontrastin bardhë e zi, që përforcojnë madhështinë e arkitekturës dhe i japin vendit karakter metafizik. Atij i interesojnë stratifikimet historike dhe sociale, pauzat urbane. Në shënimet autobiografike shkruan “E shikoj qytetin si një trup të madh që jeton, një trup në rritje, në transformim, dhe më intereson të kap shenjat, të vëzhgoj formën, ashtu si një mjek që analizon ndryshimet e trupit të njeriut për të studiuar natyrën e tyre”.
Fotografia e Gabriele Basilicos është dokumentuese në karakter, por larg reklamës dhe propagandës. Ajo nuk mundohet të kap ‘momentin deçiziv’ si tek Bresson, por është medituese dhe analitike si fotografia e Atget, Evans, dhe Beckers. Ashtu siç thotë Francesco Bonami “Basilico nuk glorifikon arkitekturën dhe vlerën simbolike të saj, por krijon një diskurs për vlerën estetike të arkitekturës dhe tensionin që ajo ka me funksionin social”. Gjatë jetës së tij, Basilico e ka shpjeguar fotografinë e tij në shumë shkrime, biseda dhe libra. Por paragrafi që sintetizon më shumë mendimin e tij mbi fotografinë është: “Të fotografosh qytetin nuk do të thotë të zgjedhësh arkitekturën më të mirë dhe ta izolosh nga konteksti në mënyrë që të vlerësosh dimensionin e saj estetik, por për mua do të thotë të bësh pikërisht të kundërtën. Dmth të vendosësh në të njëjtin plan arkitekturën e lartë me atë ordinere, të krijosh një vend ku këto të dyja bashkëjetojnë, sepse qyteti i vërtetë, qyteti që dua të tregoj, përmban këtë miksim të ekselentes me mediokren, të qendrës me periferinë, një vizion të urbanes që dikur do ta kishim quajtur demokratike”