Leonard Qylafi
Leonard Qylafi (l. 1980) është një artist pamor shqiptar i cili eksploron disa mediume si fotografinë, pikturën, videon dhe muzikën, ku një vend të caktuar zë Fotografia e Qytetit dhe e Arkitekturës së saj. Projektet në Fotografi dhe Video që reflektojnë mbi transformimin e hapësirave urbane janë (real) ESTATE, Estate, Whispers & Shadows, Solo Show.
Leonard Qylafi (l. 1980) është një artist pamor shqiptar i cili eksploron disa mediume si fotografinë, pikturën, videon dhe muzikën, ku një vend të caktuar zë Fotografia e Qytetit dhe e Arkitekturës së saj. Projektet në Fotografi dhe Video që reflektojnë mbi transformimin e hapësirave urbane janë (real) ESTATE, Estate, Whispers & Shadows, Solo Show. Të lidhura thellësisht me përvojën personale, veprat artistike të Leonardit janë një proces kërkimi dhe meditimi midis subjekteve dhe mediumeve. Që nga koha e diplomimi i tij në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në Atelienë e Pikturës në 2003, Leonard Qylafi ka qënë i pranishëm në skenën e artit vendas dhe ndërkombëtar. Gjatë viteve të fundit veprat e tij janë shfaqur në disa galeri dhe evente ndërkombëtare si: Centre de création contemporane, Olivier Debré, Tours-France (2021); Belvedere 21 Vjenë, Austri (2019); NiMAC Qipro (2018); Galeria Kombëtare Tiranë, Shqipëri (2017); MuCEM, Marsejë, Izolyatsia, Kiev në (2016); Salloni i 55 Tetorit, Beograd (2014); Künstlerhaus Bethanien, Berlin dhe Kunst Raum Riehen Basel, Zvicër (2012); MODEM Qendra për Artet Moderne dhe Bashkëkohore, Debrecen, Hungari (2011); TICAB-Tiranë Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, Bjcm- XIII Bienalja e artistëve të rinj nga Evropa dhe Mesdheu, Puglia Itali dhe ISCP- Nju Jork SHBA në (2009 ) ndër të tjera. Punët e tij janë botuar ndërkombëtarisht dhe mbledhur nga ; Galeria Kombëtare Shqiptare e Arteve, MuCEM- Musée des Civilizations de l'Europe et de la Méditerranée/Marseille, Muzeu i Artit Bashkëkohor Belvedere 21/Vjenë, dhe disa koleksione private. Në 2017, Leonard Qylafi përfaqësoi Shqipërinë në edicionin e 57-të të Bienales së Venecias, me projektin multidisiplinar "Ndodhi në kohën e tashme” të kuruar nga Vanessa Joan Müller. Unë jam mjaft e kënaqur që Leonardi pranoi të intervistohet për Tatì Space dhe të flasë rreth projekteve të tij në lidhje me Fotografinë e Arkitekturës dhe Urbane.
Alketa Misja për Tatì Space: Përshëndetje Leonard. Ju jeni një artist vizual i cili eksploron disa mediume, ndërmjet tyre Fotografinë dhe Videon. Cfarë vendi zë Fotografia në krijimtarinë tuaj artistike? Si lindi interesi për Fotografinë Urbane dhe të Arkitekturës në veçanti?
Leonard Qylafi: Interesi për fotografinë më ka lindur në kohën kur studioja në akademinë e arteve, në atelien e pikturës. Deri atëherë kisha formimin e liceut, të përqëndruar tek vizatimi dhe piktura. Fotografia ishte e re për mua dhe mori kohën e saj për ta përvetësuar nga ana teknike dhe përdorur si medium për projekte të veçanta. Ajo që mund të them është që ka pasur një ndikim të madh në praktikën time si artist në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë dhe mbetet prezente në punën time. Kryesisht projekte të veçanta që kam realizuar në fotografi kanë qënë zgjidhje të nisura gjithmonë nga një qasje konceptuale. Për rastin e fotografisë urbane ajo ka zënë vend natyrshëm si pjesë e projekteve që kanë pasur në fokus transformimet urbane.
Tatì Space: Cila është qasja, perspektiva juaj në Fotografinë e Arkitekturës dhe Urbane? Ju keni disa projekte mbi zhvillimet ndërtimore në një qytet që rritet vrullshëm si Tirana. Cila është ideja, koncepti i këtyre punëve?
Leonard Qylafi: Me fotografinë urbane jam marrë kryesisht në funksion të projekteve artistike që kam zhvilluar. Rreth 2007- 2011 hapsira urbane ka zënë një vend të rëndësishëm në projektet e mia. Projektet (Real) Estate dhe Estate, bazohen tërësisht te fotografia edhe pse Estate është një animacion fotografish i kthyer në Video. Projekte të tjera gjithmonë me të njëjtën temë kanë qënë në formën e videos si Private Show ose Whispers&Shadows. Në secilën prej tyre adresohet një aspekt i veçantë i marrëdhënies që kemi me hapësirën ky jetojmë dhe në veçanti idenë e ndryshimit dhe memories në raport me atë që e quajmë Polis ose qytet, si entitet kompleks dhe shprehje e kulturës dhe botëkuptimit të shoqërisë njerëzore.
Tatì Space: Si e shikoni skenën artistike në Shqipëri në lidhje me Fotografinë e Qytetit (nëse mund të ndani një opinion). Fotografia mund të nxisi një mendim apo ushqejë një diskutim mbi problemet e qytetit. Në këtë kuptim, cfarë sygjerimi mund ti jepni artistëve fotografë të rinj, që dëshirojnë të ekspolorojnë fotografinë urbane dhe të arkitekturës?
Leonard Qylafi: Duke e parë skenën artistike në një plan më të gjerë mund të them që për fat të keq ka një mungesë në tërësi hapësirash, strukturash që janë të nevojshme për promovimin dhe ekspozimin e artit në tërësi dhe sigurisht dhe të fotografisë bashkohore. Kjo e bën të vështirë njohjen dhe prezantimin e artistëve-fotografëve të rinj. Pjesa tjetër që e bën edhe më të vështirë, në rastin e fotografisë në veçanti, është masivizimi i saj si praktikë me zhvillimin e teknologjisë. Do të ishte e domosdoshme krijimi i strukturave të veçanta me fokus për fotografinë. Për fotografinë urbane dhe të arkitekturës mund të them që Tirana sot është një subjekt shumë i pasur për tu eksploruar. Fotografëve të rinj do tu sugjeroja ta shihnin si një mundësi të veçantë mbi të cilën të ndërtojnë kërkimin e tyre qoftë në aspektin e qytetit si subjekt ose të arkitekturës në veçanti.
Tatì Space: Faleminderit Leonard, Ju urojmë punë të mbarë në planet dhe projektet tuaja artistike.
Më poshtë po japim një përmbledhje të veprave të Leonard Qylafit, në Fotografi dhe Video, të cilat kanë në fokus temën e Qytetit dhe zhvillimeve të tij ndërtimore.
(real) ESTATE
(real) ESTATE, courtesy Leonard Qylafi
Seria e fotografive u zhvillua brenda një periudhe tre vjeçare dhe së bashku me veprat video Estate dhe Whispers & Shadows reflektojnë mbi transformimin e hapësirës urbane në Tiranë. Në këtë projekt të veçantë, që ishte pikënisja e kërkimit tim mbi këtë temë, stili dokumentar i fotografisë luan rolin e vëzhguesit kritik se si transformohet hapësira. Si një sistem i ndryshëm ekonomik dhe politik mbivendoset me një të mëparshëm. Serat kanë ekzistuar në periferi të Tiranës gjatë regjimit komunist, dhe tani ato gjenden në mes të një lagjeje të re. Ky transformim masiv më shumë sesa të ketë efekte tronditëse shtron pyetjen se sa pjesëmarrës jemi ne si banorë që jetojmë në qytet. A vendosim ne se si duhet të formohet ky qytet për t'iu përshtatur nevojave tona? Fatkeqësisht njerëzit nuk luajnë asnjë rol veç spektatorit.
Whispers & Shadows / 2011 / videos instalacion/ Standard Pal 4:3 me zë / 5:24 min/sek
Vendodhja prezanton shikuesin me ndodhinë; makina ndërtimi që gërmojnë në tokë të mbuluar nga errësira e natës. Zhurmat e tyre të forta i lejnë vendin një zëri femëror që lexon një tekst të përzgjedhur nga “Politika e Aristotelit”. Vargjet që flasin për Polisin dhe ndjenjën e të jetuarit së bashku tingëllojnë utopike në modelin e sotëm si-makineri të qendrave urbane, ku roli i publikut duket se eklipsohet disi. Ideali i të jetuarit së bashku, i ndarjes së të mirave dhe hapësirës, tingëllon mijëvjeçarë larg, sapo zhurma e makinerive rikthehet sërish fort.
ESTATE / 2007 / Video Instalacion / Full HD (pa zë) / 8:58 min/sek
Animacioni i heshtur bashkon fotografi të shumta duke u bërë në këtë mënyrë ditari i proçesit të ndërtimit të një ndërtese masive. Aspekti perceptues i proçesit bëhet një element kyç i punës. Koha fizike e një proçesi ndërtimi dy vjeçar është përqëndruar në nëntë minuta animacion, por kjo e bën këtë duke sfiduar vëmendjen e shikuesit me një pamje në dukje të ngrirë.
Shfaqje private / 2006 / Video Instalacion / Standard Pal 4:3 / Muzika nga Leonard Qylafi / 3:19 min/sek
Marrëdhëniet që kemi me vendet janë shumë komplekse dhe disi të pamundura për t'u përshkruar me fjalë. Në Tiranën ku jetoj është shumë e zakonshme të shohësh ndërtesa që prishen për të ndërtuar të reja. Ky transformim i dhunshëm ndikon në jetën e njerëzve që jetojnë në qytet. Kur shihni se një ndërtesë që ju e dini është shkatërruar, lloji i tronditjes që përjetoni nuk mund të përshkruhet. Kështu ndodhi edhe me godinën që bëhet skena e shfaqjes sime. Unë shkova atje dhe luajta një pjesë të shkurtër muzikore që kam kompozuar si kujtim i marrëdhënies që kam pasur me atë vend.
Ekspozite Fotografie dhe Prezantimi i Librit ALBANIAN SCAPES
Ditën e shtunë, dt 18 mars 2023, ora 11.00, në ambientet e TATI SPACE Photography Center, u hap Ekspozita Fotografike “ALBANIAN SCAPES -një udhëtim fotografik në peizazhin shqiptar”, me fotografi dhe printime nga Alketa Misja. Cikli është pjesë e projektit fotografik ALBANIAN SCAPES, i cili përfshin një hark kohor 2008-2022. Një pjesë e printimeve janë botuar në librin ALBANIAN SCAPES. Ndërsa një pjesë tjetër paraqiten për herë të parë në këtë ekspozitë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 22 Prill, Dita Ndërkombëtare e Tokës.
Ditën e shtunë, dt 18 mars 2023, ora 11.00, në ambientet e TATI SPACE Photography Center, u hap Ekspozita Fotografike “ALBANIAN SCAPES -një udhëtim fotografik në peizazhin shqiptar”, me fotografi dhe printime nga Alketa Misja. Cikli është pjesë e projektit fotografik ALBANIAN SCAPES, i cili përfshin një hark kohor 2008-2022. Një pjesë e printimeve janë botuar në librin ALBANIAN SCAPES. Ndërsa një pjesë tjetër paraqiten për herë të parë në këtë ekspozitë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 22 Prill, Dita Ndërkombëtare e Tokës.
Përshkrimi i Projektit
“Albanian Scapes është një seri fotografike mbi peizazhin shqiptar, ashtu siç tregohet edhe në titull Albanian + Landscapes. Gjatë këtyre 25 viteve kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve që ka pësuar peizazhi shqiptar si rrjedhojë e betonizimit dhe urbanizimit të shpejtë, përdorimit për qëllime komerciale dhe shfrytëzimit pa kriter të burimeve natyrore. Fotografia më ka ndihmuar të dokumentoj këtë transformim. Për këtë arsye, Albanian Scapes shërben si njëngrirje në kohë e një peizazhi i cili nuk do të jetë më i njëjtë. Albanian Scapes është një meditim mbi gjendjen ekzistuese të peizazhit shqiptar, i cili është në ndryshim të vazhdueshëm, ashtu si edhe interesat e shoqërisë në të cilën natyra bën pjesë. Projekti është ndërtuar në formën e një udhëtimi fotografik, nga veriu në jug, i cili të njeh me pasuritë natyrore shqiptare dhe kontrastet e saj. Në njërin skaj është natyra e Thethit dhe e Oroshit, ende e paprekur nga turizmi masiv, ndërsa në skajin e kundërt, peizazhi i ndërtuar i Tiranës, i cili transformohet cdo ditë nga urbanizimi i vrullshëm”
Në parathënien e librit “Albanian Scapes”, ark. Andi Papastefani shkruan – “Në këtë botim estetik e të veçantë, pamjet e këndshme të ngacmojnë syrin dhe mendjen. Alketa ka arritur të evidentojë kompleksitetin, kontrastin dhe problematikat e këtij vendi, me të cilin natyra është treguar aq bujare. Si arkitekte dhe fotografe, ajo e prezanton këtë situatë plot kontradikta në narrativën e saj fotografike nëpër Shqipëri, me anë të imazheve ikonike që të shtyjnë të mendosh, të kuptosh vlerën e vërtetë të peizazhit, kulturës, historisë, si edhe atë që kemi humbur”
Ndërsa Falma Fshazi shkruan – “Në Shqipërinë e Albanian Scapes, ne rikujtojmë qytetet që ndërrojnë fytyrë me shpejtësi, teksa mbushen me ndërtesa të larta po aq sa me histori ende për t’u dëgjuar. Histori që mbivendosen, por vazhdojnë të jenë vetvetja, ashtu si dhe peizazhi urban shqiptar, transformimi i të cilit ka vijuar me intensitet drejt kodrave, fushave e brigjeve të lumenjve, duke hyrë edhe ku nuk i takon, por pa tjetërsuar dot ndjesinë e pamjen mesdhetare, gjurmët e kohëve, e as natyrën mikpritëse të vendasve. Në veprën fotografike të Alketës, peizazhi natyror i Shqipërisë nga Thethi në Lukovë është një ekzistencë ujore, e ujërave të ëmbël, të kripur, brisk të fohtë, apo shërues e të ngrohtë, të cilët, ku nuk janë të puqur me shkëmbinjtë e lartësive, gjarpërojnë fushave të mbrojtura nga male vertikale. Ujëra të kaltër e ujëra të bardhë, ujëra të cekët e ujëra të thellë, trashëgimi ekologjike, aq sa kujtesa e gjallesave, sendeve dhe njerëzve që na vijnë nëpërmjet fotove si kërkues të kuptimit për shqiptarët, evropianët dhe botën e nesërme.
Amazon Store: ISBN Hardcover, ImageWrap: 9798881301958
Blurb Bookstore: ISBN Hardcover, ImageWrap: 9798881287856
Blurb Bookstore: ISBN Hardcover, Dust Jacket: 9798210988904
Language: English, Albanian
Standard Landscape, 10x8 inch, 25x20cm
100 pages, 87 photos, Premium Lustre Paper
Ekspozitë Fotografike REALITETI URBAN (ne syrin e arkitektit)
KATEGORIA 5:
QYTETI DHE ESTETIKA
KATEGORIA 5: QYTETI DHE ESTETIKA
Autor: Nurlan Tahirli
Titulli i serisë: "Bukuria e bardhë"
Titull 1: “Lina Xente”
Titull 2: “Mest Lind”
Titull 3: “Planinar”
Titull 4: “Trokut”
Përshkrimi: Bëhet fjalë për bukurinë e ngjyrës së bardhë në qendër të qytetit e projektuar me materiale moderne ndërtimi dhe imagjinatë kreative. Nuk është e zakonshme në ditët e sotme të shohësh hapësira të mëdha, sidomos në kryeqytetet e mbushura me njerëz. Ditët me vranësira zgjidhen për ta bërë qiellin më pak të dukshëm dhe ndërtesën të bie në sy. Kështu qielli u ekspozua më shumë në shumicën e skenave me qëllim për ta bërë të shkrihet me këtë bukuri të bardhë.
Linke të autorit:
Autor: Pierre-Louis Ferrer
Titulli: Seria "Horizonti i Ri".
Vendi: Rennes, Francë
Përshkrimi: Seria fotografike fokusohet në rezidencën Les Horizons (The Horizons) që ndodhet në distriktin e Bourg L'Évêque në jug-perëndim të qytetit të Rennes, Francë. Kjo rezidencë është në formën e një kulle të dyfishtë pothuajse 100 m e lartë dhe e ndërtuar në vitin 1970 nën drejtimin e arkitektit Georges Maillols. Realizimi i serisë u krye gjatë një jave të plotë, e ndarë në faza vëzhgimi, teste të kompozimit dhe më pas në fazën e fotografimit. Qëllimi kryesor i kësaj serie është të luajë mbi arkitekturën, këndet dhe kthesat e subjektit për të krijuar poza grafike dhe abstrakte, ku nocioni i ndërtimit zhduket. Grafika është përforcuar nga këndi i shkrepjes sipas drejtimeve të diellit për të realizuar një shpërndarje optimale të dritë-hijeve. Në të njëjtën mënyrë, mungesa totale e reve në qiell e kombinuar me bardhësinë e ndërtesës dhe zgjedhja e një trajtimi bardhë e zi me kontraste lejon që mjedisi të lirohet për t'u fokusuar në format gjeometrike.
Linke të autorit:
Autor: Ruslan Hajizada
Titulli: “Harmoni linjash”
Vendi: Baku, Azerbaixhan
Përshkrimi: Qendra Heydar Aliyev, dizenjuar nga arkitektja Zaha Hadid. Ndërtesa është e famshme për arkitekturën e saj të veçantë dhe stilin e rrjedhshëm e të lakuar që u shmanget këndeve të mprehta.
Linke te autorit:
Author: Karen Numme
Titulli i serisë: "Muzeu i Akademisë të Filmit"
Vendi: Muzeu i Akademisë të Filmit, Los Anxhelos, Kaliforni
Titulli 1: “Muzeu i Akademisë , nën kupolë”
Titulli 2: “Shkallët lëvizëse të Muzeut të Akademisë”
Titulli 3: "Shtegu i Muzeut të Akademisë"
Titulli 4: "Muzeu i Akademisë në çati"
Bio: Unë jam një fotografe fine art, dhe kam një diplomë Master në Arkitekturë
Autor: Yasser Alaa Mobarak
Titulli: “Baku”
Vendi: Baku, Azerbaixhan
Përshkrimi: Një vajzë duke ecur jashtë Qendrës Heydar Aliyev në Baku, Azerbajxhan.
Linke të autorit:
Autor: Vladislav Vodnev
Titulli: “Tetris”
Vendi: Nur-Sultan, Kazakhistan.
Përshkrimi: Fotografia është bërë në qendrën e vjetër të kryeqytetit të Kazakistanit. Dy ndërtesa kopshtesh nga lart duken si figura nga loja Tetris.
Linke të autorit:
Autor: Kim Leung
Titulli: Seria "Më pak është më shumë"
Vendi: To Kwa Wan, Hong Kong
Përshkrimi: Kërkimi i estetikës së thjeshtë që i përket To Kwa Wan (Hong Kong) dhe shprehja e marrëdhënies midis hapësirës publike dhe njerëzve të To Kwa Wan përmes vështrimit të ndërsjellë të linjave, modeleve dhe figurave. “Më pak është më shumë” është projekti im i parë i artit në komunitet. Ai i kushtohet To Kwa Wan, një lagje e vjetër në Hong Kong. Po kërkoja se si të infiltroja aktivitetet estetike të kufizuara në artin e pastër dhe të rafinoja kulturën në çdo cep të jetës së përditshme; si të përdorim imagjinatën për të eliminuar kufijtë e jetës mes njëri-tjetrit.
Linke të autorit:
Autor: Bilal EL Harousse
Titulli: "Akullore"
Vendi: Sidi Bou Said, Tuniz, Tunizia.
Përshkrimi: Kjo foto është një përshkrim i shkurtër i peizazhit të qytetit Sidi Bou Said. Një qytet i qetë pranë kryeqytetit Tuniz, Tunizi. Sidi Bou Said është i njohur për ndërtesat e tij të bardha dhe blu me gjeometri minimale, një arkitekturë me një marrëdhënie të thellë historike dhe vizuale me peizazhin mesdhetar. Fotoja është realizuar në një mëngjes të qetë. Vendosa ta quaj Gelato.
Linke të autorit:
Autor: Meti Spahiu
Vendi: Viena, Austri
Titull 1: Fernheizwerk Arsenal - Viena,
Titull 2: Janis Joplin Promenade - Viena,
Titull 3: Leonard-Bernstein-Strasse - Viena,
Titull 4 : City gate Aderklaaerstrasse - Viena,
Titull 5: Olympiahalle 6020 Innsbruck,
Titull 6: Harry SeidlerTurm - Viena
Përshkrimi: Ideja e fotografive të mia është të sjell imazhe të bukura, të tërheqë vëmendjen e publikut për estetikën e objekteve të fotografuara. Fotografitë e mia bardh e zi shprehin vertikalitetin dhe horizontalitetin në arkitekturë, duke përforcuar estetikën e ndërtesës.
Linke të autorit:
KATEGORI TË TJERA
"Journey beyond the horizon" - photography Meti Spahiu
Në rubrikën ‘Fotografët Shqiptar Emergjent’ në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës, sjellim fotografin e ri kosovar Meti Spahiu. Meti është diplomuar si arkitekt në Fakultetin Teknik të Vienës TU WIEN dhe prej disa vitesh jeton dhe punon në Vjenë.
Në rubrikën ‘Fotografët Shqiptar Emergjent’ në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës, sjellim fotografin e ri kosovar Meti Spahiu. Meti është diplomuar si arkitekt në Fakultetin Teknik të Vienës TU WIEN dhe prej disa vitesh jeton dhe punon në Vjenë. Ai prezantohet për herën e dytë në TatìSpace, pas shfaqjes të tij të parë me Serinë Fotografike bardhë e zi “Big Cities in my Eyes”. Kësaj rradhe, fotografitë e tij janë së shumti me ngjyra, por nuk mungojne edhe ato bardhë e zi. Motivi mbetet i njëjtë- subjekti i tij i preferuar; Fotografia e Arkitekturës e qyteteve të Europës, shkrepur gjatë udhëtimeve të tij. Secila prej fotografive sjell kujtime personale nga qytetet si Insbruk dhe Zyrih. Fotografitë e tjera janë bërë në Vjenë, Munih, Bratisllav. Autori e titullon Serinë “Journey beyond the Horizon” (dedikuar A.Sh). Ashtu siç thotë edhe vet më parë, “ideja e fotografive të mia është që të sjell imazhe të bukura, që tërheqin vëmendjen e publikut për estetikën e objekteve të fotografuara. Do të doja që njerëzit që kalojnë çdo ditë pranë një ndërtese në mënyrë të shpenguar, kur shohin fotografinë të zbulojnë bukurinë e arkitekturës së saj. Për mua, fotografia është një fushë që nuk do më zhgënjejë, dhe që do eci paralelisht me profesionin e arkitektit”.
Rozafa Shpuza
Rozafa Shpuza është njëherësh poete dhe fotografe, risi që krijon një ndërthlidhje unike midis dy arteve. Ajo lëvron zhanrin e poezisë në dialektin gegë, por ajo është gjithashtu produktive në fushën e fotografisë, kryesisht në zhanrin e fotografisë urbane dhe të rrugës. Fotografitë e saj më së shumti janë shkrepur në rrugët e qytetit të saj të lindjes, Shkodër.
Rozafa Shpuza
(Shqipëri 1969-)
Rozafa Shpuza është njëherësh poete dhe fotografe, risi që krijon një ndërthlidhje unike midis dy arteve. Ajo lëvron zhanrin e poezisë në dialektin gegë, por ajo është gjithashtu produktive në fushën e fotografisë, kryesisht në zhanrin e fotografisë urbane dhe të rrugës. Fotografitë e saj më së shumti janë shkrepur në rrugët e qytetit të saj të lindjes, Shkodër. Subjektet e fotografuara janë momente urbane të shkëputura nga skenat e qytetit, të kapura në mënyre abstrakte, shpesh herë surreale, me nota humori dhe të kompozuara mirë. Galeria e dytë e fotografive, ndoshta ajo më kryesorja, janë portretet e banorëve të qytetit, të fotografuar në mënyrë spontane në rrugët dhe sheshet e tij, ndërsa kryejnë aktivitete apo meditojnë të heshtur në qetësinë e tyre, të kapur në befasi duke na krijuar një gjendje të veçantë emocionale. Çfarë mendojnë personazhet e rrugës, kalimtarët e heshtur, fotografuar të izoluar në mesin e kaosit urban? Duket sikur secili prej tyre është mbyllur në botën e brendshme, zhytur në mendimet dhe hallet personale. Në një shoqëri individualiste, ku secili mendon për vete, Rozafa kërkon natyrshëm të depërtojë tek individi dhe psikologjia e tij. Një galeri e tretë e fotografive, e cila mua më pëlqen shumë, është cikli i autoportreteve në rrugët e qytetit, të shkrepura në trotuare, vitrina dyqanesh apo kafene, të kapura në superpozime planesh të ndryshme, duke aluduar për një botë komplekse dhe të ngatërruar në të cilën gjendet artisti dhe individi në qytetin modern. Fotografitë e Rozafës, ndonëse janë të veçanta në skenën e fotografisë urbane shqiptare, ushqehen nga një traditë e pasur ndërkombëtare e fotografisë së rrugës, të krijuar dhe frymëzuar nga fotografia e Walker Evans, Garry Winogrand, William Klein, Diane Arbus, Vivian Mayer, dhe të tjerë.
Më poshtë mund të lexoni një përshkrim që Rozafa Shpuza i bën fotografisë së saj urbane, dhënë për TatiSpace. Si nisi proçesi krijues, cila është nxitja dhe inspirimi i saj?
Rozafa Shpuza: Fotografia është një dashuri imja e kahershme, që vazhdon të më frymëzojë dhe të jetë pjesë e rëndësishme e përditës sime. Kam shumë vjet që merrem me fotografi, herë më intensivisht e herë më qetësisht, dhe mund të pohoj pa frikë se fotografia ma ka zbukuruar jetën. Aparatin e parë fotografik e kam blerë në Danimarkë, kur shkova në një kurs specializimi në vitin 1994. Dinamika e atij vendi, arkitektura, njerëzit, mënyra e ndryshme e konceptimit të ambienteve publike më joshi që t’i fiksoj të gjitha këto në aparatin tim tepër modest. Qysh atëherë nuk jam ndalur më. Fotografoj në rrugë se e ndjej se personazhet që fiksoj janë të vërtetë dhe përcjellin mesazhin e jetës pa korniza. Fotografia e rrugës është pjesa më e rëndësishme e krijimtarisë sime artistike. Udhëtoj shumë se e ndjej se qytetet kanë shumë surpriza për aparatin tim fotografik. Albumi i fundit me fotografi të rrugës është ai që realizova në Shkodër në periudhën e izolimit të pandemisë Covid 19. Një qytet i zbrazët, personazhe të frikësuar që nguten, dritare e dyer të mbyllura, të gjitha këto ndjesi tashmë janë të fiksuara në albumin tim “Ditari i nji stine të mrrolun”. Kam marrë pjesë në shumë aktivitete kushtuar fotografisë, në ekspozita të përbashkëta dhe personale, brenda dhe jashtë vendit, me dëshirën e mirë për të njohur artistë fotografë dhe për të parë ku qëndron fotografia ime në krahasim me fotot e tyre. Para 3 vjetëve kam hapur në Shkodër një galeri arti, te shtëpia vjetër e prindërve, me dëshirën e mirë që të promovoj artistë nga e gjithë bota.
Momente Urbane
Portrete Kalimtarësh
Color Photography
Për më shumë rreth fotografisë së Rozafa Shpuzës, mund të klikoni në rrjetet e saj sociale, Facebook, Instagram dhe Galleria Oda.
"Big cities in my eyes" - photography Meti Spahiu
Meti Spahiu është një arkitekt i sapodiplomuar në Fakultetin Teknik të Vjenës (TU WIEN ), i cili ndjek pasionin e Fotografisë së Arkitekturës. Subjekti i fotografisë së tij janë ndërtesat e reja rezidenciale dhe komerciale në qytetin e Vjenës dhe qytete të tjera të Europës. Fotografitë e tij bardhë e zi shprehin vertikalitetin dhe horizontalitetin në arkitekturë, duke përforcuar anën estetike të objektit.
Në TATÌ SPACE po çelim një rubrikë të re të postimeve, mbi fotografët e rinj shqiptarë, emergjentë në fushën e Fotografisë së Arkitekturës. Meti Spahiu është një arkitekt i sapodiplomuar në Fakultetin Teknik të Vjenës (TU WIEN ), i cili ndjek pasionin e Fotografisë së Arkitekturës. Subjekti i fotografisë së tij janë ndërtesat e reja rezidenciale dhe komerciale në qytetin e Vjenës dhe qytete të tjera të Europës. I lindur në Kamenicë të Kosovës, ku jetoi deri në moshën 25 vjeçare, Meti u shpëngul për të studiuar dhe jetuar në Vjenë, Austri. Rrugëtimin e tij si arkitekt e shikon të lidhur ngushtë me fotografinë. Fotografitë e tij bardhë e zi shprehin vertikalitetin dhe horizontalitetin në arkitekturë, duke përforcuar anën estetike të objektit. Siç thotë ai, “ideja e fotografive të mia është që të sjell imazhe të bukura, që të tërheqin vëmendjen e publikut për estetikën e objekteve të fotografuara. Do të doja që njerëzit që kalojnë çdo ditë pranë një ndërtese në mënyrë të shpenguar, kur të shohin fotografinë të zbulojnë bukurinë e arkitekturës së saj . Për mua, fotografia është një fushë që nuk do më zhgënjejë kurrë, dhe që do eci paralelisht me profesionin e arkitektit”.
KATEGORIA 1:
QYTETI DHE MJEDISI NATYROR