Rruga Sami Frashëri
Tirana, 1019
Albania

+355 672040073

Leonard Qylafi

Artikuj

Leonard Qylafi

Alketa Misja

 

Leonard Qylafi (l. 1980) është një artist pamor shqiptar i cili eksploron disa mediume si fotografinë, pikturën, videon dhe muzikën, ku një vend të caktuar zë Fotografia e Qytetit dhe e Arkitekturës së saj. Projektet në Fotografi dhe Video që reflektojnë mbi transformimin e hapësirave urbane janë (real) ESTATE, Estate, Whispers & Shadows, Solo Show. Të lidhura thellësisht me përvojën personale, veprat artistike të Leonardit janë një proces kërkimi dhe meditimi midis subjekteve dhe mediumeve. Që nga koha e diplomimi i tij në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në Atelienë e Pikturës në 2003, Leonard Qylafi ka qënë i pranishëm në skenën e artit vendas dhe ndërkombëtar. Gjatë viteve të fundit veprat e tij janë shfaqur në disa galeri dhe evente ndërkombëtare si: Centre de création contemporane, Olivier Debré, Tours-France (2021); Belvedere 21 Vjenë, Austri (2019); NiMAC Qipro (2018); Galeria Kombëtare Tiranë, Shqipëri (2017); MuCEM, Marsejë, Izolyatsia, Kiev në (2016); Salloni i 55 Tetorit, Beograd (2014); Künstlerhaus Bethanien, Berlin dhe Kunst Raum Riehen Basel, Zvicër (2012); MODEM Qendra për Artet Moderne dhe Bashkëkohore, Debrecen, Hungari (2011); TICAB-Tiranë Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, Bjcm- XIII Bienalja e artistëve të rinj nga Evropa dhe Mesdheu, Puglia Itali dhe ISCP- Nju Jork SHBA në (2009 ) ndër të tjera. Punët e tij janë botuar ndërkombëtarisht dhe mbledhur nga ; Galeria Kombëtare Shqiptare e Arteve, MuCEM- Musée des Civilizations de l'Europe et de la Méditerranée/Marseille, Muzeu i Artit Bashkëkohor Belvedere 21/Vjenë, dhe disa koleksione private. Në 2017, Leonard Qylafi përfaqësoi Shqipërinë në edicionin e 57-të të Bienales së Venecias, me projektin multidisiplinar "Ndodhi në kohën e tashme” të kuruar nga Vanessa Joan Müller. Unë jam mjaft e kënaqur që Leonardi pranoi të intervistohet për Tatì Space dhe të flasë rreth projekteve të tij në lidhje me Fotografinë e Arkitekturës dhe Urbane.  

 

Alketa Misja për Tatì Space: Përshëndetje Leonard. Ju jeni një artist vizual i cili eksploron disa mediume, ndërmjet tyre Fotografinë dhe Videon.  Cfarë vendi zë Fotografia në krijimtarinë tuaj artistike? Si lindi interesi për Fotografinë Urbane dhe të Arkitekturës në veçanti?

Leonard Qylafi: Interesi për fotografinë më ka lindur në kohën kur studioja në akademinë e arteve, në atelien e pikturës. Deri atëherë kisha formimin e liceut, të përqëndruar tek vizatimi dhe piktura. Fotografia ishte e re për mua dhe mori kohën e saj për ta përvetësuar nga ana teknike dhe përdorur si medium për projekte të veçanta. Ajo që mund të them është që ka pasur një ndikim të madh në praktikën time si artist në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë dhe mbetet prezente në punën time. Kryesisht projekte të veçanta që kam realizuar në fotografi kanë qënë zgjidhje të nisura gjithmonë nga një qasje konceptuale. Për rastin e fotografisë urbane ajo ka zënë vend natyrshëm si pjesë e projekteve që kanë pasur në fokus transformimet urbane.

 

Tatì Space: Cila është qasja, perspektiva juaj në Fotografinë e Arkitekturës dhe Urbane? Ju keni disa projekte mbi zhvillimet ndërtimore në një qytet që rritet vrullshëm si Tirana. Cila është ideja, koncepti i këtyre punëve?

Leonard Qylafi: Me fotografinë urbane jam marrë kryesisht në funksion të projekteve artistike që kam zhvilluar. Rreth 2007- 2011 hapsira urbane ka zënë një vend të rëndësishëm në projektet e mia. Projektet (Real) Estate dhe Estate, bazohen tërësisht te fotografia edhe pse Estate është një animacion fotografish i kthyer në Video. Projekte të tjera gjithmonë me të njëjtën temë kanë qënë në formën e videos si Private Show ose Whispers&Shadows. Në secilën prej tyre adresohet një aspekt i veçantë i marrëdhënies që kemi me hapësirën ky jetojmë dhe në veçanti idenë e ndryshimit dhe memories në raport me atë që e quajmë Polis ose qytet, si entitet kompleks dhe shprehje e kulturës dhe botëkuptimit të shoqërisë njerëzore.

 

Tatì Space: Si e shikoni skenën artistike në Shqipëri në lidhje me Fotografinë e Qytetit (nëse mund të ndani një opinion). Fotografia mund të nxisi një mendim apo ushqejë një diskutim mbi problemet e qytetit. Në këtë kuptim, cfarë sygjerimi mund ti jepni artistëve fotografë të rinj, që dëshirojnë të ekspolorojnë fotografinë urbane dhe të arkitekturës? 

 

Leonard Qylafi: Duke e parë skenën artistike në një plan më të gjerë mund të them që për fat të keq ka një mungesë në tërësi hapësirash, strukturash që janë të nevojshme për promovimin dhe ekspozimin e artit në tërësi dhe sigurisht dhe të fotografisë bashkohore. Kjo e bën të vështirë njohjen dhe prezantimin e artistëve-fotografëve të rinj. Pjesa tjetër që e bën edhe më të vështirë, në rastin e fotografisë në veçanti, është masivizimi i saj si praktikë me zhvillimin e teknologjisë.  Do të ishte e domosdoshme krijimi i strukturave të veçanta me fokus për fotografinë. Për fotografinë urbane dhe të arkitekturës mund të them që Tirana sot është një subjekt shumë i pasur për tu eksploruar. Fotografëve të rinj do tu sugjeroja ta shihnin si një mundësi të veçantë mbi të cilën të ndërtojnë kërkimin e tyre qoftë në aspektin e qytetit si subjekt ose të arkitekturës në veçanti.

 

Tatì Space: Faleminderit Leonard, Ju urojmë punë të mbarë në planet dhe projektet tuaja artistike.

Më poshtë po japim një përmbledhje të veprave të Leonard Qylafit, në Fotografi dhe Video, të cilat kanë në fokus temën e Qytetit dhe zhvillimeve të tij ndërtimore.

 

(real) ESTATE

(real) ESTATE, courtesy Leonard Qylafi

Seria e fotografive u zhvillua brenda një periudhe tre vjeçare dhe së bashku me veprat video Estate dhe Whispers & Shadows reflektojnë mbi transformimin e hapësirës urbane në Tiranë. Në këtë projekt të veçantë, që ishte pikënisja e kërkimit tim mbi këtë temë, stili dokumentar i fotografisë luan rolin e vëzhguesit kritik se si transformohet hapësira. Si një sistem i ndryshëm ekonomik dhe politik mbivendoset me një të mëparshëm. Serat kanë ekzistuar në periferi të Tiranës gjatë regjimit komunist, dhe tani ato gjenden në mes të një lagjeje të re. Ky transformim masiv më shumë sesa të ketë efekte tronditëse shtron pyetjen se sa pjesëmarrës jemi ne si banorë që jetojmë në qytet. A vendosim ne se si duhet të formohet ky qytet për t'iu përshtatur nevojave tona? Fatkeqësisht njerëzit nuk luajnë asnjë rol veç spektatorit.


Whispers & Shadows / 2011 / videos instalacion/ Standard Pal 4:3 me zë / 5:24 min/sek

Fragment nga video instalacion “Whispers & Shadows” / 2011 / Standard Pal 4:3 me zë / 5:24 min/sek. courtesy Leonard Qylafi

Vendodhja prezanton shikuesin me ndodhinë; makina ndërtimi që gërmojnë në tokë të mbuluar nga errësira e natës. Zhurmat e tyre të forta i lejnë vendin një zëri femëror që lexon një tekst të përzgjedhur nga “Politika e Aristotelit”. Vargjet që flasin për Polisin dhe ndjenjën e të jetuarit së bashku tingëllojnë utopike në modelin e sotëm si-makineri të qendrave urbane, ku roli i publikut duket se eklipsohet disi. Ideali i të jetuarit së bashku, i ndarjes së të mirave dhe hapësirës, tingëllon mijëvjeçarë larg, sapo zhurma e makinerive rikthehet sërish fort.


 ESTATE / 2007 / Video Instalacion / Full HD (pa zë) / 8:58 min/sek

 Fragment nga Video Instalacion ESTATE / 2007 / Full HD (pa zë) / 8:58 min/sek. courtesy Leonard Qylafi

Animacioni i heshtur bashkon fotografi të shumta duke u bërë në këtë mënyrë ditari i proçesit të ndërtimit të një ndërtese masive. Aspekti perceptues i proçesit bëhet një element kyç i punës. Koha fizike e një proçesi ndërtimi dy vjeçar është përqëndruar në nëntë minuta animacion, por kjo e bën këtë duke sfiduar vëmendjen e shikuesit me një pamje në dukje të ngrirë.


Shfaqje private / 2006 / Video Instalacion / Standard Pal 4:3 / Muzika nga Leonard Qylafi / 3:19 min/sek

Fragment nga Video Instalacion “Shfaqje private” / 2006, Standard Pal 4:3 / Muzika nga Leonard Qylafi / 3:19 min/sek. courtesy Leonard Qylafi

Marrëdhëniet që kemi me vendet janë shumë komplekse dhe disi të pamundura për t'u përshkruar me fjalë. Në Tiranën ku jetoj është shumë e zakonshme të shohësh ndërtesa që prishen për të ndërtuar të reja. Ky transformim i dhunshëm ndikon në jetën e njerëzve që jetojnë në qytet. Kur shihni se një ndërtesë që ju e dini është shkatërruar, lloji i tronditjes që përjetoni nuk mund të përshkruhet. Kështu ndodhi edhe me godinën që bëhet skena e shfaqjes sime. Unë shkova atje dhe luajta një pjesë të shkurtër muzikore që kam kompozuar si kujtim i marrëdhënies që kam pasur me atë vend.

 

Website i autorit: www.leonardqylafi.com