W. Eugene Smith
Tatì Space
W. Eugene Smith
(Sh.B.A 1918-1978)
W. Eugene Smith është një fotograf amerikan, i cili njihet si babai i foto esesë në editorialin amerikan të viteve ‘40-’50. Ai krijoi modelin dhe standartet e ndjekura për një kohë të gjatë. Eugene Smith punoi për disa revista të kohës si: Newsweek, Life, dhe për agjensinë Magnum si freelancer. Foto esetë e tij më të famshme janë (sipas rendit kronologjik): Lufta e Dytë Botërore (1943), Doktori i Provincës (1948), Infermierja Mami (1951), Fshati Spanjoll (1951), Misionari Schwitzer (1954), Pittsburg (1955), Jazz Loft (1965), Minamata (1971).
Gjatë karrierës së tij në fotografi, Eugene Smith dallohet për humanizmin, nevojën për të njohur subjektet mire, kërkesën ndaj vetes për të arritur perfeksionin dhe anti-konformizmin ndaj diktatit dhe kufinjve të vendosur nga masmedia. Më shumë sesa një foto reporter, ai është regjizor për historitë që tregon dhe një poet i fotografisë nëpërmjet përdorimit të dritës dhe chiaro-scurove.
Foto esetë e tij më të rëndësishme që trajtojnë temën e urbanizimit dhe pasojave që krijohen nga industrializimi i pakontrolluar janë; Pittsburg (1955) dhe Minamatas (1971).
Eugene Smith nisi fotografimin e Pitsburgut në vitin 1955, kur botuesi dhe shkrimtari Stefan Lorant i kërkoi një cikël fotografik për të ilustruar një libër mbi 100 vjetorin e qytetit. Smith e pa porosinë si një projekt personal. Ai jo vetëm shtriu kohëzgjatjen e projektit nga tre muaj në tre vite, por zgjeroi tematikën duke fotografuar jo vetëm modernitetin e qytetit dhe industrinë kryesore të çelikut por edhe tema të tjera që nuk i përkisnin reklamës qeveritare, si kushtet e punëtorëve, lagjet e varfra, emigrantët, jeta e zezakëve, duke i paraprirë trazirave të viteve ‘60. Në këtë projekt Smith ndërtoi një cikël të pasur fotografik të përbërë nga 17 mijë imazhe fotografike dhe inçizime audio, një pjesë e vogël e të cilave janë publikuar.
Në serinë Minamata (1971-1973), Eugene Smith fotografon banorët e zonës Minamata, një qytet bregdetar në Japoni i prekur nga nje sëmundje e rëndë e shkaktuar nga mërkuri i derdhur në ujërat e zonës prej mbetjeve industriale të fabrikës Chisso (gjigandi kimik i industrisë së vendit). Në vitin 1972, Smith u sulmua nga Kompania Chisso për të ndërprerë publikimin e projektit mbi sëmundjen Minamata. Ky sulm i shkaktoi atij plagë të rënda dhe humbjen e shikimit. Foto eseja u publikua në vitin 1975, dhe fotoja e tij kryesore ishte ‘Tomoko Uemura në Vaskë’, e shkrepur në 1971, ku tregohet një mama duke larë në një vaskë tradicionale japoneze vajzën e saj të deformuar nga sëmundja. Fotoja tërhoqi vëmendjen e publikut ndaj sëmundjes Minamata dhe pasojave të helmimit të mjedisit. Fotografitë e Smith ishin prova kryesore në gjyq kundër kompanisë Chisso, dhe ky qe rasti i parë në Japoni ku një kompani bëhet përgjegjëse për ndotjen e ambjentit dhe jetët e dëmtuara, gjë që e bëri Smith një hero kombëtar në Japoni.
Pas projektit Minimata, Eugene Smith u kthye në Amerikë, por nuk mundi dot të fotografojë më. Ai dha mësime në universitet dhe rregulloi arkivën e tij, deri në vitin 1978, kur ndërroi jetë nga një infarkt në zemër. Eugene Smith besonte në fuqinë e fotografisë se mund të ndryshojë botën. Në 1980 u krijua Fondi W Eugene Smith i cili financon projektet fotografike humanitare që nuk mund të financohen nga media masive, duke kontribuar në rritjen e zërit të pavarur të fotografëve.
Fondi Eugene Smith: https://www.smithfund.org/humanistic-photography